Shtatë dobitë e të lexuarit - të vërtetuara shkencërisht

 (Fotografia e përdorur është bërë gjatë aktiviteteve të TOKAs në dhjetor 2019).

 

Gjatë këtyre ditëve të vetizolimit, shumë prej nesh kanë gjetur veten duke lexuar librat e tyre të preferuar. Edhe stafi i TOKAs disa javë më parë ka ndarë me ndjekësit e rrjeteve sociale librat e preferuar duke i ftuar të gjithë ata të na tregojnë librat që po i lexojnë gjatë kësaj periudhe.

Ne po ashtu përgjatë fushatës[i] sonë për të drejtat e njeriut dhe mjedisin, kemi shpërblyer shumë të rinj me libra të ndryshëm, të cilët së shpejti do t’i marrin në shtëpitë e tyre. Për të parë më shumë rreth kësaj fushate mund të klikoni këtu.

Mirëpo, përveç se të kalojmë kohën e vetizolimit, çfarë përfitojmë ne nga të lexuarit? Nëse keni qenë ndonjëherë kureshtarë për të kuptuar se çfarë ndodh në trurin dhe trupin tuaj kur ju lexoni, atëherë jeni në vendin e duhur. Vazhdoni të lexoni dhe do të kuptoni shtatë arsye pse ju duhet të shtoni të lexuarit në listën tuaj të aktiviteteve të përditshme.

1.     Të lexuarit mund të konsiderohet gjimnastikë për trurin tuaj

Sipas një studimi me 1,890 binjakë identikë të realizuar gjatë vitit 2014 në Mbretërinë e Bashkuar, të lexuarit në moshën e hershme mund të ndikojë në aftësitë intelektuale të lexuesve. Nga binjakët të cilët morën pjesë në këtë studim afatgjatë, u vërejt se binjaku të cilit i kishin lexuar më shumë gjatë fëmijërisë së hershme, tregonte aftësi më të larta intelektuale kur ai/ajo arrinte moshën 7 vjeçare.

Ndërsa në një analizë afatgjatë për ndikimin e të lexuarit në zhvillimin kognitiv në 1,890 çifte të binjakëve të testuar në moshën 7, 9, 10, 12 dhe 16 vjeçare u gjet se binjakët të cilët kishin aftësi më të mira të leximit shënonin pikë më të larta në testet e inteligjencës së përgjithshme.

Njëjtë sikur muskujt të cilët kanë nevojë për ushtrime, ashtu edhe truri juaj përfiton nga të lexuarit. Sipas presidentit dhe kreut të kërkimeve në Laboratoret Haskins, Ken Pugh, PhD, “Kur ju lexoni, aktivizohen disa pjesë të trurit të cilat kanë evoluar për funksione të tjera – si shikimi, gjuha, apo të mësuarit me lidhje, dhe ky aktivitet është shumë sfidues për ju dhe trurin tuaj”. Prandaj, merreni një libër dhe filloni ushtrimet tuaja mendore!

2.     Të lexuarit shton aftësinë tuaj për të ndjerë empati

Empatia sipas definimit nga Fjalori i Psikologjisë së Oxford-it është aftësia njerëzore për të kuptuar dhe për të hyrë në botën e ndjenjave dhe të emocioneve të dikujt tjetër, apo për të përjetuar diçka nga këndvështrimi i dikujt tjetër. Duke lexuar neve na shtohen gjasat që të praktikojmë këtë aftësi.

Disa eksperimente të kryera gjatë vitit 2013 na tregojnë se letërsia, e sidomos ajo e imagjinuar (fiktive) ka mundësi që të ndihmojë lexuesit të kuptojnë se çfarë po ndjen tjetri vetëm duke lexuar mbi emocionet e tjetrit. Ky ndikim, thanë eksperimentuesit, duket të jetë më i madh tek personat të cilët lexojnë letërsi fiktive sesa tek ata të cilët lexojnë letërsi jo-fiktive (jo imagjinare).

Ata shtuan se gjendja mendore e të të kuptuarit tjetrin – empatia - është aftësi tejet e rëndësishme pasi që ju mundëson qenieve njerëzore lidhje sociale në mes vete, e këto lidhje janë themeli për zhvillimin e shoqërive njerëzore.

Takimi me një personazh tejet interesant, apo një tregim mbresëlënës nuk duket aspak ide e keqe, përkundrazi eksperimentet e ndryshme tregojnë se mund të jenë shumë të dobishme për lidhjet tuaja!

3.     Të lexuarit ndihmon në zgjerimin e fjalorit tuaj

Në vitin 2011, disa shkencëtarë analizuan të dhëna nga një tjetër studim afatgjatë në aftësitë e të lexuarit tek fëmijët e moshave të ndryshme, duke i vlerësuar ato në ditëlindjet e tyre të 8-të, 11-të, 14-të dhe të 16-të. Nga këto analiza, u gjet se nxënësit të cilët lexonin vazhdimisht, duke filluar që nga mosha e hershme, gradualisht zgjeronin fjalorin e tyre. Një fjalor i zgjeruar mund të ndikoj në shumë aspekte të mëvonshme të jetës, si pikët në teste të standardizuara apo mundësi të shtuar për punësim.

Duke u bazuar në një anketë nga Cengage, të realizuar gjatë vitit 2019, të paktën 65% e punonjësve kërkojnë tek punëtorët e tyre shkathtësi të mira të “buta”, si shkathtësia për të komunikuar mirë. Ndërsa, deri në 50% të punonjësve kërkojnë tek punëtorët e tyre shkathtësi të mira kompjuterike dhe teknike.

Nga kjo mund të kuptojmë se sa të rëndësishme janë shkathtësitë e buta në vendin e punës, dhe ne inkurajojmë lexuesit tanë të vazhdojnë të investojnë në zhvillimin e këtyre shkathtësive, qoftë përmes leximit, qoftë përmes të mësuarit sipas përvojës apo edukimit jo-formal.

4.     Të lexuarit parandalon dobësimin kognitiv, i cili vjen me moshë

Teksa trupat dhe mendjet tona bëhen më të vjetra, natyrshëm lind nevoja për të angazhuar trurin tonë në aktivitete mendore, të cilat e mbrojnë atë nga plakja. Instituti Kombëtar i SHBA-ve për plakje, rekomandon në web-faqen e tij se të lexuarit mund të përdoret si një mënyrë parandaluese ndaj plakjes.

Shkencëtarët e shumtë akoma janë duke kërkuar nëse përfundimisht të lexuarit ndihmon në parandalimin e sëmundjeve që vijnë nga mosha, si sëmundja e Alzheimerit, mirëpo ajo që dihet nga disa hulumtime është se personat në moshë të shtyer të cilët lexojnë apo zgjidhin probleme matematikore logjike për çdo ditë tregojnë se këto aktivitete ju ndihmojnë duke i mbajtur ata në funksionim të mirë kognitiv.

5.     Të lexuarit ulë nivelin e stresit

E kush nuk është ndjerë se gjatë këtyre ditëve ka përjetuar më shumë stres se zakonisht? Stresi i vazhdueshëm, na thonë shkencëtarët dhe doktorët, ka ndikim negativ në sistemin tonë imunitar, duke na bërë më të prekshëm ndaj viruseve të ndryshme.

Studimi i vitit 2009 nga Universiteti i Sussex-it, konkludoi se të lexuarit për vetëm 6 minuta për çdo ditë mund të reduktojë nivelin e stresit deri në 68%. Krye-hulumtuesi i këtij studimi, Dr. David Lewis u shpreh se “nuk ka rëndësi se çfarë po lexoni, kur humbni veten në një libër, ju largoheni nga shqetësimet dhe streset e përditshme dhe gjatë asaj kohe jeni duke udhëtuar në botën imagjinare të autorit”.

Në anën tjetër të oqeanit, në po të njëjtin vit, një grup hulumtuesish, matën ndikimin e jogas, humorit dhe të lexuarit në nivelin e stresit tek studentët e SHBA-ve. Pas disa matjeve, ata zbuluan se 30 minuta lexim mund të ulë presionin e gjakut, pulsin e zemrës dhe ndjenjat e stresit psikologjik, po aq mirë sa joga apo humori.

Nga kjo duket se në listën e aktiviteteve që na ndihmojnë të tejkalojmë streset e përditshme, si ecja në natyrë, dëgjimi i muzikës, gatimi i reçetave të preferuar, ia vlen të shtojmë edhe leximin për disa minuta gjatë ditës.

6.     Të lexuarit iu përgatit për gjumë më të mirë

Nëse kohëve të fundit keni pasur vështirësi që të flini, atëherë nuk jeni vetëm. Për këtë, doktorët në Mayo Clinic, sugjerojnë leximin e librave të printuar më shumë sesa përdorimin e pajisjeve elektronike për shkak se dritat e forta, sidomos të atyre pajisjeve elektronike sinjalizojnë trurin se është koha për t’u zgjuar, e jo për të fjetur.

Të lexuarit para gjumit, sipas disa ekspertëve të gjumit, ndihmon në krijimin e një rutinë de-stresuese, qetëson mendjen, dhe i jep sinjal trupin tuaj se ka ardhur momenti të flihni.

Ndoshta më mirë provojeni vetë! Sonte para gjumit, merreni një libër dhe lexoni për 30 minuta. Vazhdoni ta bëni atë për çdo ditë, dhe gjumi juaj do të përmirësohet, në mesin e shumë aspekteve të tjera të jetës suaj. Të paktën, kështu na udhëzojnë hulumtimet shkencore.

7.     Të lexuarit zvogëlon simptomat e depresionit

Keni dëgjuar ndonjëherë për biblioterapinë? Nëse jo, atëherë ndoshta ju e keni praktikuar vetë këtë formë të terapisë, pa e ditur se çfarë po bëni. Nëse jeni kureshtarë, mund ta shikoni definicionin e saj në fjalor të ndryshëm, kurse në Fjalorin e Psikologjisë nga Oxford, do ta gjeni si lloj i psikoterapisë gjatë së cilës të lexuarit e një teksti të definuar nga psikoterapisti/ja ka rëndësi qenësore në procesin terapeutik.

Pikërisht këtë lloj të psikoterapisë e kanë përdorur disa shkencëtarë për të testuar nëse të lexuarit ndihmon në uljen e simptomave të depresionit. Ata zbuluan se leximi i librave vetë-ndihmues të kombinuar me sesione udhëzuese se si duhet të përdoret kjo psikoterapi, shënoi rënie në nivelin e simptomave të depresionit edhe pas një viti tek pacientët të cilët përdorën biblioterapinë.

Për më shumë, Universiteti i Manchester-it, ka publikuar në vitin 2013 një analizë të gjerë të hulumtimeve të 2,470 personave të cilët vuajnë nga depresioni i rëndë. Në këtë publikim, rezultatet tregojnë se personat të cilët shfaqin simptoma të depresionit të rëndë, mund të përfitojnë nga të ashtuquajtuarat “intervenime me intensitet të ulët,” duke përfshirë librat vetë-ndihmues apo web-faqet interaktive.

Këto të dhëna janë domethënëse jo vetëm për komunitetin mjekësor, por edhe për të gjithë ne të cilët gjatë situatave negative mund të manifestojmë ndryshime në disponim dhe në nivel të energjisë, ndryshime të cilat mund të rezultojnë në simptoma të depresionit.

Për këtë, ju lusim të tregoni vëmendje të shtuar mbi shëndetin tuaj mendor dhe të drejtoheni tek institucionet përkatëse të shëndetit, në rast se vëreni ndonjë ndryshim të parehatshëm në gjendjen tuaj emocionale dhe psikologjike.

Të dhënat shkencore na tregojnë se edhe biblioterapia mund të na bëj të ndihemi më mirë gjatë qëndrimit në shtëpi.

Prandaj, mos e humbni shpresën dhe filloni leximin!

Faleminderit për leximin dhe vëmendjen!

Më poshtë mund të gjeni listën e plotë të referencave shkencore, të cilat janë përdorur për këtë artikull. Ato mund t’i shfrytëzoni të mësoni akoma më shumë mbi dobitë e të lexuarit.

 

Lista e referencave për lexim:

1. Society for Research in Child Development. (2014, July 24). Stronger early reading skills predict higher intelligence later. ScienceDaily. Retrieved May 22, 2020 from: https://www.sciencedaily.com/releases/2014/07/140724094209.htm

2. Ritchie, S. J., Bates, T. C., & Plomin, R. (2015). Does Learning to Read Improve Intelligence? A Longitudinal Multivariate Analysis in Identical Twins From Age 7 to 16. Child Development, 86(1), 23–26. Doi: https://srcd.onlinelibrary.wiley.com/doi/full/10.1111/cdev.12272 

3.     Watch This. No. Read It! Retrieved May 22, 2020 from: http://www.oprah.com/health/how-reading-can-improve-your-memory#ixzz2VYPyX3uU

4. Colman, A.M. (2009). A Dictionary of Psychology. New York, NY: Oxford University Press.

5. Kidd, C. D. & Castano E. (2013). Reading Literary Fiction Improves Theory of Mind. Science, 342(6156), 377-380. Doi: 10.1126/science.1239918

6. Cain, K. & Oakhill, H. (2011). Matthew Effects in Young Readers: Reading Comprehension and Reading Experience Aid Vocabulary Development. Journal of Learning Disabilities, 44(5), 431-443. Doi: 10.1177/0022219411410042

7.     New Survey: Demand For "Uniquely Human Skills" Increases Even As Technology and Automation Replace Some Jobs. Retrieved May 22, 2020 from: https://news.cengage.com/upskilling/new-survey-demand-for-uniquely-human-skills-increases-even-as-technology-and-automation-replace-some-jobs/

8.     Cognitive Health and Older Adults. Retrieved May 22, 2020 from: https://www.nia.nih.gov/health/cognitive-health-and-older-adults

9.     Uchida, S., & Kawashima, R. (2008). Reading and solving arithmetic problems improves cognitive functions of normal aged people: a randomized controlled study. Age (30), 21–29. Doi: 10.1007/s11357-007-9044-x 

10.  Reading 'can Help Reduce Stress'. Retrieved May 22, 2020 from: https://www.telegraph.co.uk/news/health/news/5070874/Reading-can-help-reduce-stress.html

11.  Rizzolo, D., Zipp, G. P., Stiskal, D., & Simpkins, S. (2009). Stress Management Strategies For Students: The Immediate Effects Of Yoga, Humor, And Reading On Stress. Journal of College Teaching & Learning, 6(8), 79–88. Doi: 10.19030/tlc.v6i8.1117

12.  6 Steps To Better Sleep. Retrieved May 22, 2020 from: https://www.mayoclinic.org/healthy-lifestyle/adult-health/in-depth/sleep/art-20048379

13.  How To De-stress Before Bed. Retrieved May 22, 2020, from: https://www.huffpost.com/entry/stress-less-challenge-sleep_n_3157927

14.  Williams C., Wilson P., Morrison J., McMahon A., Walker A., Allan L., et al. (2013). Correction: Guided Self-Help Cognitive Behavioural Therapy for Depression in Primary Care: A Randomised Controlled Trial. PLoS ONE 8(9). Doi: 10.1371/annotation/998d1a71-7c06-4ebd-8deb-d5db5ad21c31

15.  Bower P., Kontopantelis E., Sutton A., Kendrick T., Richards D. A., Gilbody S., et al. (2013). Influence of initial severity of depression on the effectiveness of low-intensity interventions: a meta-analysis of individual patient data. BMJ (346).

 

[i] Kjo fushatë është pjesë e aktiviteteve ambientaliste, që është e financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, (SIDA) përmes Programit të saj “Human Rightivism”.