Dita Botërore Kundër Punës të Fëmijëve: Çka përfaqëson kjo ditë?

Fenomeni i punës të fëmijëve ekziston në tërë botën dhe ka formë të ndryshme në secilin vend. Qoftë punë fizike, e paguar ose jo, fëmijë të vegjël apo adoleshentë, puna e fëmijëve mund të ndikojë negativisht në mirëqenien fizike, mendore, shoqërore dhe në zhvillimin e tyre edukativ. 

Dita Botërore Kundër Punës të Fëmijëve, ka për qëllim të rrisë vetëdijësimin ndaj këtij fenomeni global dhe të nxitë vendimarrje në të mirë të të drejtave të fëmijëve.

Kjo ditë fillimisht ishte vendosur nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) në vitin 2002 dhe ende vazhdon të manifestohet deri sot. Kurse, si çdo vit tjetër, edhe këtë vit, kjo ditë e ka temën e caktuar: 'Ndikimi i Krizës së COVID-19 në punën e fëmijëve.'

"Ndërsa pasojat socio-ekonomike të pandemisë COVID-19 kërcënojnë jetesën e miliona punëtorëve në zinxhirët e furnizimit global, të drejtat e fëmijëve duhet të jenë në zemër të veprimit të biznesit..", ka thënë Zëvendës Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Charlotte Petri Gornitzka në publikimin e udhëzuesit për biznese që ka për qëllim rritjen e vetëdijësimit ndaj të drejtave të fëmijëve.
 
Sipas një artikulli të Kombeve të Bashkuara, mbi fenomenin e punës së fëmijëve, ndër të tjerash, tregohet se Afrika dhe Azia janë përgjegjës për 9 nga 10 fëmijët që punojnë në tërë botën. Pjesa tjetër, është e ndarë në mes SHBA-ve (11 milionë), Evropës & Azisë Qëndrore (6 milionë) dhe shtetet arabe (1 milion).

Ndërkaq, sikur në botë, edhe në Kosovë ky fenomen është i pranishëm. Në fakt, Organizata Ndërkombëtare e Punës bashkë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në vitin 2004 ka lansuar Programin për Eliminimin e Punës së Fëmijëve (IPEC) në Kosovë. 

Duke shpresuar se ky fenomen do të trajtohet duke i pasur gjithnjë në mendje të drejtat e fëmijëve si të drejta themelore të njeriut, TOKA mbështet iniciativën edhe këtë vit.