#BlogoftheMonth: Rëndësia e qytetarisë aktive në kohë pandemie

Pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19, ka ndikuar edhe në aktivitete vullnetare dhe qytetarinë aktive në të gjithë botën. Megjithatë, pikërisht kjo pandemi ka bërë që shumë qytetarë në vende të ndryshme të botës të angazhohen në mënyrë vullnetare në forma dhe mënyra të ndryshme për të parandaluar përhapjen e mëtejme të këtij virusi.

Sipas një njoftimi nga Qendra për Mjekësi të Bazuar në Prova - CEBM, vetëm në prill brenda 24 orëve, 500,000 qytetarë janë lajmëruar për punë vullnetare dhe aktivitete si dërgimi i ilaçeve, transporti i pacientëve, apo thjesht kontaktimi i personave të izoluar për mbështetje morale. 

Këshilli Britanik në anën-tjetër, së fundmi ka filluar një fushatë online ku po inkurajon të gjithë qytetarët e botës të ndajnë tregimet e tyre se si po i trajtojnë problemet shoqërore si pasojë e kësaj pandemie. 

“Nga sot, ekipi global i Qytetarëve Aktiv po fillon thirrjen për veprim #ConnectedbyAction. Ne dëshirojmë që ju të na tregoni se si ju si qytetarë aktivë po reagoni ndaj virusit Korona. Gjatë muajve në vazhdim, ne do t’i ofrojmë kanalet tona të mediave sociale për të nxjerrë në pah tregimet dhe iniciativat tuaja inspiruese se si qytetarët aktiv po merren me çështjet që lidhen me këtë sëmundje në komunitetet e tyre - duke i theksuar dhe shpërndarë ato për të frymëzuar dhe siguruar ide për të tjerët në të gjithë komunitetin global dhe më gjerë.” u potencua nga Këshilli Britanik në këtë fushatë.

Në anën tjetër, qytetaria aktive dhe vullnetarizmi në këtë kohë pandemie erdhi edhe me një formë tjetër - atë virtuale. Sipas një artikulli nga The Conversation, vullnetarët virtualë, varësisht nga veprimtaria e organizatave apo bizneseve, po ndihmojnë në menaxhimin e faqeve të rrjeteve sociale, konsulencën dhe koordinimin e punëve të ndryshme. 

Pikërisht kjo formë e re e qytetarisë aktive nevojitet tani më shumë së kurrë, kur e gjithë bota po ndodhet në një krizë pandemike. Nëse në kushte normale qytetaria aktive është përfshirja në aktivitete e projekte fizike në të mirë të komunitetit, tani thelbi ka ngelë i njëjtë, mirëpo vetëm në kushte të tjera. Qytetaria aktive sot ka për bazë praktikimin e distancës fizike dhe respektimin e masave të higjienës personale dhe kolektive.

TOKA si organizatë jo-qeveritare, themeli i së cilës janë qytetarët aktiv që promovojnë qytetari aktive fton të gjithë lexuesit e saj të bashkohen virtualisht në arritjen e qëllimit të saj, e që është zhvillimi i një shoqërie më të mirë. 

// Kjo fushatë është pjesë e aktiviteteve ambientaliste, që është e financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, (SIDA) përmes Programit të saj "Human Rightivism".