Mbi 70 #SuperMentorë e #SuperArsimtarë të ri i bashkohen familjes së madhe të Vullnetarizmit Edukativ

TOKA që nga viti 2017 ka filluar të implementojë programin e Vullnetarizmit Edukativ duke kontribuar kështu në zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive të të rinjëve dhe komunitetit në përgjithësi në Kosovë.

Këta të rinjë janë pjesë e klubeve vullnetare të cilat mbështeten nga TOKA. Klubet udhëhiqen nga mësimdhënës apo persona të shoqërisë civile mbi moshën 18 vjeçare të cilët trajnohen sipas metodologjisë IMPACT e cila ka të bëjë me të mësuarit përmes përvojës.

Këtë vit, arritëm të pranojmë mbi 500 aplikime për Super-Mentorë dhe Super-Arsimtarë. Pas një vlerësimi me shumë kujdes arritëm të përzgjedhim 77 Super-Mentorë dhe Super-Arsimtarë potencial të cilët u trajnuan dhe do e vazhdojnë traditën e Vullnetarizmit Edukativ në Kosovë.

Trajnimi i Vullnetarizmit Edukativ, sivjet u mbajt në formë tjetër, atë online, mirëpo përkushtimi dhe energjia ishin njejtë si çdo vit. Pjesëmarrësit treguan gatishmëri të madhe për të mësuar dhe për tu aftësuar me metodat e mësimit përmes përvojës e të cilat pastaj do ju përcillen të rinjëve nëpër shkolla të Kosovës. 

Megjithatë, edhepse nuk ishim fizikisht bashkë, ne arritëm të krijojmë një lidhje të veçantë me secilin pjesëmarrës duke ju dërguar një pako mirëseardhëse të personalizuar me të gjitha elementet që nevojiten për një trajnim online. Për më shumë, kliko këtu. 

Për plot 7 ditë, 77 pjesëmarrës, në 7 sesione online, e përfunduan me sukses Trajnimin e Vullnetarizmit Edukativ.

'Trajnimi me ju ishte një eksperiencë unike sepse ne pamë rezultatet shumë shpejt. Uroj që shumë të tjerë ta provojnë këtë eksperiencë, të manifestojnë forcën dhe energjinë e jashtëzakonshme që na rrethon dhe gëzon çdonjëri prej nesh. Mund të them se jam e bindur që ky trajnim i tejkaloi pritshmëritë që kisha para se ta filloja. Kam arritur të kuptoj më mirë veten dhe të lidh disa pika shumë të rëndësishme dhe pikëpyetje që kisha para se të filloja këtë trajnim.' - u shpreh njëri pjesëmarrës. 

Ndërkaq, një tjetër pjesëmarrës tregoi mbresat që kishte ndaj punës dhe përkushtimit të trajnerëve.

'I përgëzoj për entuziazmin dhe profesionalizmin qe kanë treguar gjatë sesioneve, i mendoj si model për vete, pasi virtytet dhe karakteristikat e shumta që kanë shfaqur, përfshihen në vizionin që e kam për vetën time ideale.' 

Jemi shumë të lumtur që TOKA, si nikoqire e Vullnetarizmit Edukativ në Kosovë edhe njëherë ndihmoi në ndryshimin pozitiv në shoqëri edhe online. 

Ky projekt mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut EIDHR.