Super-Aktivistët, kapitenë të ndryshimit në komunitet

Pandemia nuk i ka ndaluar Super-Aktivistët tanë punëtorë të japin kontributin e tyre në shoqëri edhe nëse kjo do të thotë të takohen përmes internetit. Ata përfunduan modulin e parë me Super- Qytetarë nga Gjilani, Prishtina, Podujeva, Shtimja, Vitia, Kaçaniku dhe Hani i Elezit. Super- Aktivistët këtë eksperiencë e shohin si mundësi rritjeje dhe zhvillimi.

“Përvoja ime me Klubin e Super-Qyetarëve Aktiv ka ndikuar aq shumë sa për të lënë gjurmë në formësimin e personalitetit tim. Është një eksperiencë pothuajse ndryshe nga viti i kaluar, por e pasuruar mjaftueshëm sa për ta çmuar kohën e rezervuar për të.” -  tha Arbrita Uka, Super-Aktiviste nga Lipjani.

Ndërsa Blerton Jakupi, Super-Aktivist nga Kaçaniku ka thënë se në përgjithësi ka qenë eksperiencë e vlefshme sepse gjatë periudhës së trajnimeve dhe udhëheqjes së klubeve, e ka zhvilluar sensin e vetëbesimit.

Yllka Kastrati, Super-Aktiviste nga Gjilani, në anën tjetër ka thënë: “Disa nga shkathtësitë e shumëta që kam zhvilluar përgjatë takimeve me klubistë janë menaxhimi i kohës, krijimi i shprehisë së punës dhe puna nën presion.” 

“Vit shumë i veçantë e sfidues, por që rezultoi shkëlqyeshëm. Për herë te parë provova rolin e liderit dhe mund të them që është një përgjegjësi shumë e madhe, por njëkohësisht një ndjenjë e mrekullueshme. Ky projekt më dha shoqëri të re dhe dhurata të veçanta. Më dha më shumë kurajo e vetëbesim!”  - tha Dorentina Haziri, Super-Aktiviste nga Gjilani.

Viti 2021 mirëpret Super-Aktivistët me më shumë takime e trajnime, ndërsa ne ju dëshirojmë shumë suksese atyre!

Ky projekt mundësohet nga Bashkimi Evropian dhe është pjesë e aktiviteteve ambientaliste, që është e financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, (SIDA) përmes Programit të saj “Human Rightivism”