Karriera ime nga Zero në Hero dhe Përshpejtimi i punësimit të të rinjve: Informacione mbi studimin

Në verën e vitit 2020 TOKA, në bashkëpunim me Next Gen Networks, kreu një studim të krijuar për të identifikuar boshllëqet midis punëdhënësve, të rinjve dhe nevojave të OSHC-ve në fushën e teknologjisë informative. Me të dhëna cilësore dhe sasiore, studimi detajon disa nga çështjet më të ngutshme në adresimin e niveleve të larta të papunësisë së të rinjve në Kosovë sot. Studimi është një komponent kyç në projektin "Karriera ime nga Zero në Hero", financuar nga Komisioni Evropian.

Në këtë studim, shumë palë të interesuara u intervistuan dhe dhanë mendimet e tyre mbi një varg çështjesh që ndikojnë në tregun e punës për teknologjinë informative në Kosovë. Studimi detajon aftësitë që konsiderohen thelbësore për punësimin e suksesshëm nga punëdhënësit e teknologjisë informative, si dhe cilat aftësi të rinjtë dhe OSHC-të vendase i kushtojnë një vlerë të lartë të mësuarit. Studimi pastaj thekson boshllëqet midis asaj që punëdhënësit i identifikojnë si thelbësore, asaj që OSHC-të janë duke lehtësuar trajnimet dhe asaj që të rinjtë mendojnë se janë aftësi të rëndësishme për punësimin. Gjithashtu preket roli i qeverisë në adresimin e papunësisë.

Përfundimet e studimit paraqesin një udhërrëfyes për hapat e ardhshëm në adresimin e çështjes së papunësisë së të rinjve në Kosovë. Faza tjetër e projektit "Hero" është zhvillimi i një programi mësimor për një model "të gjitha në një vend" për të adresuar grupet e theksuara të aftësive dhe më pas për të punuar së bashku me OSHC-të e tjera lokale për ta zbatuar këtë planprogram.

Për ta lexuar studimin e plotë, klikoni këtu.

TOKA dëshiron të falënderojë posaçërisht partnerin tonë Next Gen Networks për rolin e tyre thelbësor në realizimin e këtij studimi dhe për ndarjen e ekspertizës së tyre në fushën e teknologjisë informative dhe telekomunikacionit. NGN është një organizatë joqeveritare që synon ndërtimin e kapaciteteve të organizatave dhe individëve në fushën e telekomunikacionit. Ata i japin përparësi përfshirjes së studentëve të universiteteve teknike, studentëve të shkollave të mesme profesionale teknike dhe në forcimin e lidhjes së tyre me tregun e punës në të ardhmen. Klikoni këtu për më shumë informacione mbi NGN ose vizitoni faqen e tyre të internetit.

Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian.