Vullnetarizmi Edukativ mbështetet nga BE

Programi i Vullnetarizmit Edukativ do të vazhdojë implementimin dhe shtrirjen e tij në Kosovë me mbështetjen e Bashkimit Evropian edhe për 3 vitetet e ardhshme.

Çka është programi i Vullnetarizmit Edukativ?

Programi i Vullnetarizmit Edukativ është metodologji e të mësuarit përmes përvojës dhe shërbimit. Ky program u ofron të rinjve zhvillimin e njohurive, vlerave dhe shkathtësive të reja si: mendimin kritik, komunikimin, zgjidhjen e problemeve, shkathtësitë sociale, marrjen e vendimeve, lidershipin dhe ngritë vetëbesimin dhe vetëdijen për qytetarinë aktive.

Ky program i ekspozon të rinjtë ndaj përvojave konkrete përmes zbatimit të projekteve të Vullnetarizmit Edukativ duke bërë hartimin e nevojave të komunitetit, zgjidhjen apo minimizimin e një problemi të komunitetit, vendosjen e qëllimeve dhe objektivave, menaxhimin e aktiviteteve të projektit, ngritjen e fondeve, hartimin e buxhetit, monitorimin dhe vlerësimin e projektit.

Në këtë program të rinjtë janë agjentë social të ndryshimeve të cilët ndërmarrin veprime për të ndryshuar botën përreth tyre!

Ky projekt mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes Instrumentit Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut EIDHR.