Gara e Rinisë për Ndryshim - Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve

Përmes një ceremonie zyrtare, është mbyllur thirrja për projekte për Garën e Rinisë për Ndryshim. Në kuadër të kësaj gare, aplikuan 108 aktivistë të rinj me plot 27 ide për projekte në temat e të drejtave të njeriut, mjedisit dhe edukimit. 3 idetë fituese u shpërblyen me mbështetje financiare nga: 400 Euro vendi i parë, 250 Euro vendi i dytë, 120 Euro vendi tretë.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve, u mbajt në Innovation Center Kosovo ku të pranishëm ishin Drejtorja Ekzekutive e TOKA-s, Jehona Gjurgjeala, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Menaxheri i Projektit “Human Rightivism” nga organizata Community Development Fund, Artan Avdiu, partnerë e miq të TOKA-s dhe të gjithë të rinjtë e të rejat që janë përzgjedhur me super idetë e tyre në Garën e Rinisë për Ndryshim. 

Duke treguar për përvojën e saj me klubet e TOKA-s dhe kontributin në komunitet përmes projekteve të ndryshme, eventin e hapi dhe moderoi Sibora Kaçuri, ish-pjesëmarrëse e kampeve, ish-Super-Vullnetare e tash, edukatore e kampeve të TOKA-s. 

Image
 
Fjalë përshëndetëse pati Drejtorja Ekzekutive e TOKA-s, Jehona Gjurgjeala, e cila ju uroj mirëseardhje të gjithë të pranishmëve duke shpalosur tregimin prapa TOKA-s dhe misionin e vazhdueshëm për të krijuar mundësi të reja për rininë kosovare.
 
Image

E të gjitha këto iniciativa, nuk do ta kishin ndikimin e duhur pa mbështetjen e donatorëve. Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), përmes Programit të saj “Human Rightivism” dhe Community Development Fund – CDF, për 3 vjet me radhë mbështesin projektet dhe aktivitetet e shumta për rini dhe komunitet. 

Fjalë rasti lidhur me këtë, pati edhe Artan Avdiu, Menaxher i Projektit “Human Rightivism” në CDF, i cili e theksoi rëndësinë e ngjarjeve të tilla dhe ndikimin që krijohet nga iniciativat rinore.

Image

Një tjetër mbështetëse e programeve të TOKA-s, është edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila gjatë vitit 2021 bashkë-financoi 5 kampe trajnuese, nga të cilat përfituan 150 pjesëmarrës të rinj. Lidhur me këtë, Ministri Hajrulla Çeku, i përshëndeti të gjithë të pranishmit duke uruar që të kemi edhe më shumë projekte të tilla ku të rinjtë udhëheqin ndryshimin në komunitet, si dhe zotoi përkrahje për Programin e Lidershipit të të Rinjve të TOKAs.

Image

Eventi vazhdoi tutje me momentin më të rëndësishëm të natës - shpalljen e ideve fituese.

Vendin e parë e fitoi grupi "Drejt Komunitetit Ideal", nga fshati Vërshec, komuna e Lipjanit me anëtarët Blendë Nishori, Arbenitë Canaj, Ylliona Ismajli, Shkurte Syla. Ky grup do të organizojë vendosjen e dollapëve shkollorë të mbushur me materiale shkollore për të gjithë nxënësit që kanë nevojë. 

Image

Vendin e dytë e fitoi grupi "Seekers", nga Prishtina me anëtarë Ylli Rakipi, Rrezon Zhinipotoku dhe Lendita Humolli. Ky grup do të organizojë panair për shitje të produkteve të prodhuara nga gratë e mbijetuara të dhunës, shfaqje të dokumentarëve edukues, diskutime mbi trajtimin e rasteve të dhunës dhe shfaqje teatrale me forum teatër. Institucionet që do të përfshihen në këtë projekt janë Komuna e Prishtinës, Artpolis, ETEA, Shelters for women, CC4LADY, dhe Departamenti i Punës Sociale në Universitetin e Prishtinës.

Image

Vendin e tretë e fitoi grupi "Ndryshimtarët e Rinj" nga Malisheva me anëtarë Alisa A. Mazreku, Florida Hoti, Diona Hoti, Andi Mazreku dhe Alisa Mazreku. Ky grup do të organizojë një punëtori me filma të metrazhit të shkurtër të huazuar nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit, “Prix Jeunesse International” dhe realizimi i një filmi të metrazhit të shkurtër si pjesë e një fushate vetëdijësuese. Institucionet që do të përfshihen në këtë projekt janë SHFMU “Ibrahim Mazreku” dhe drejtoritë e arsimit dhe të kulturës në komunën e Malishevës.

Image

Festa nuk përfundoi me kaq. Përpos 3 vendeve të para, u vlerësuan edhe idetë që zunë vendin e 4-të dhe të 5-të.

Grupi “Dielli” nga Hani i Elezit me anëtarë Artan Asotiqi, Luan Krasniqi, Arsim Vila dhe Jehona Bela, fituan vendin e 4-të. Ky grup aplikoi me idenë për akumulimin e ujit atmosferik nga ulluget e sallës sportive në rezervuar në shkollë dhe ujitja e kopshtit, duke kursyer ujin dhe rrymën elektrike. Me këtë rast, Drejtoria e Arsimit të Komunës së Hanit të Elezit zotoi minimum 100 Euro tek ky grup për zbatimin e idesë së tyre në kuadër të Marrëveshjes së Mirëkuptimit me organizatën TOKA. 

Image

Kurse vendin e 5-të e fitoi grupi “Vajzat e Mjekësisë” nga Podujeva, me anëtarë Rona Halili, Vesa Veliu, Erisa Ramadani, Erjona Rrahmani dhe Arnisa Hoxha. Ky grup do të realizon një fushatë vetëdijësuese për përdorimin e bicikletave dhe respektimin e hapësirave publike në komunën e tyre. Lidhur me këtë, Komuna e Podujevës dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në komunën e Podujevës, ka zotuar 100 Euro për zbatimin e këtij projekti në komunën e tyre.

Image

Të gjitha idetë u vlerësuan nga paneli i ekspertëve i përbërë nga:
Hatixhe Zeka – udhëheqëse e Programit të Vullnetarizmit Edukativ në TOKA,
Rreze Hoxha – udhëheqëse e Programit të Institucionalizimit në TOKA, dhe 
Fisnik Sopjani – zyrtar Senior për Komponentët në CDF.

Pas marrjes së çmimeve, festa vazhdoi nën tingujt e muzikës nga Tringa Sadiku dhe koktejit të organizuar. 

Gara e Rinisë për Ndryshim, organizohet për herë të parë dhe ka për qëllim identifikimin dhe zbatimin e projekteve në temat e të drejtave të njeriut, mjedisit dhe edukimit, si dhe nxitjen e aktivizmit tek rinia.

Ky aktivitet është pjesë e aktiviteteve ambientaliste, të financuara nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), përmes Programit të saj “Human Rightivism”, dhe implementohet nga CDF dhe TOKA.