Puna e palodhshme e 275 vullnetarëve të Ditës së Solidaritetit këtë vit po merr edhe më shumë kuptim përmes nënshkrimit të kontratave me organizatat fituese të Fondit të Ditës së Solidaritetit. Punën e filluam përmes thirrjes të hapur për financim të projekteve në fushat e Shëndetit Mendor dhe Fëmijëve me Nevoja të Veçanta, ku morëm plot 15 aplikime nga organizata jo-qeveritare në Kosovë. Ne u siguruam të konsultohemi me të gjithë kontribuesit e këtij Fondi duke filluar me vullnetarët, Liderët e Rinj të Akademisë, bizneset dhe donatorë e projektit, dhe të bashkëpunojmë me ta në vlerësimin e aplikimeve në 2 faza.
Dy organizatat të cilat na lanë përshtypje për misionin, planin dhe objektivat ishin Down Syndrome Kosova dhe Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHSPM), të cilët me plot meritë u bënë organizatat fituese të Fondit të Ditës së Solidaritetit!
Çfarë planifikojnë të bëjnë këto organizata me Fondin e Ditës së Solidaritetit?
Down Syndrome Kosova vazhdimisht angazhohet dhe implementon projekte të fushës sociale me qëllim të zhvillimit të potencialit të individëve me sindromë Down, më konkretisht në ofrimin e shërbimeve terapeutike dhe mbështetëse psiko-sociale, që për synim kanë adresimin e nevojave të fëmijëve dhe të rinjve me sindromë Down.
Këtë mision do ta vazhdojnë edhe përmes projektit “Small Acts, Big Impact” përmes organzimit të 3 punëtorive me 25 fëmijë me sindromë Down të cilët do të kenë mundësi të përfitojnë në nxitje të të folurit dhe rritje të shkathtësive sociale dhe komunikuese. Punëtoritë do të fokusohen në mbështetje vizuale për rutina (orare), zhvillimin të aftësive motorike dhe vizatim të çrregullt.
Ndërkohë, QHPSM po ashtu ka një histori të pasur pune për shëndetin mendor në Kosovë. Këtu përfshihen projekte të suksesshme si Simpoziumin e Parë të Shëndetit Mendor në Shkolla, rifunksionalizimin e revistës së parë psikologjike në vend “Psika”, programin “Debat n’Shilte” e të tjera.
Në radhën e projekteve të suksseshme, QHPSM po planifikon edhe projektin “Fjalorth Fuqizimi: Kronikat e shëndetit mendor në Kosovë përmes fjalëve të rinisë” përmes së cilit synon të organizojë një trajnim 3 ditor me të rinj të moshave 16-24 vjeç nga e gjithë Kosova, të cilëve do t’ju ofrohet trajnim dhe udhëzim për të shkruar artikuj mbi shëndetin mendor. Përmes këtij trajnimi ata do të zhvillojnë aftësi për të hulumtuar, shkruar dhe vlerësuar më mirë aspektet e ndërlidhura me këtë çështje të rëndësishme shoqërore.
Të dy këto organizata do të përfundojnë implementimin e këtyre projekteve deri me 31 tetor 2023. Ne jemi tejet të entuziasmuar të shohim punën e tyre dhe t’i mbështesim në çdo hap. Suksese parterëve tanë më të ri!
Dita e Solidaritetit është pjesë e aktiviteteve ambientaliste të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), përmes Programit të saj Human Rightivism që implementohet nga Community Development Fund – CDF dhe TOKA; mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile KCSF ‘EJA Kosovë’ – bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut; si nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Regional Youth Cooperation Office (RYCO). Ky projekt zhvillohet në bashkëpunim me rrjetin e organizatave SAME.
Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.