Në kuadër të projektit Human Rightivism, muaj më parë ne filluam fushatën e dhurimit të librave. Kjo fushatë u zhvillua me një seri pyetjesh ku përdoruesit online, duhej të përgjigjen në ato pyetje dhe përgjigja me më shumë pëlqime do të zgjedhej fituese. Për plot 6 javë, postuam nga pyetje që kishte të bëjë me të drejtat e njeriut dhe ambientin. Qëllimi i kësaj fushate ishte të edukojmë dhe të sfidojmë të rinjtë për dy çështje themelore të shoqërisë duke ofruar njohuri dhe informata të reja.
Kjo fushatë pati jehonë të madhe tek audienca jonë online duke arritur më shumë se 25 mijë përdorues online të cilët ishin entuziastë për pyetjet çdo javë. E në fund, arritëm të zgjedhim 7 fitues të cilëve ju dërguam librat e fituar me qëllim që të rritet vetëdijësimi mbi përparësitë e të lexuarit. Për më shumë mbi këtë, lexoni artikullin tonë.
Fushata nuk përfundoi këtu. Përkundrazi, fituesit ishin të gatshëm të ndajnë përshtypjet mbi librat e fituar.
Njëra nga fitueset, Donarta Uka tregoi përshtypjet e saj mbi librin “451 Fahrenheit” nga Ray Bradbury.
“Kam mbetur e mahnitur nga mënyra se si ky libër të bën të mendosh për të ardhmen në një mënyrë krejt tjetër. Të bën ta kuptosh rëndësinë e librit dhe se si do të ishim të humbur pa të. Ndonjëherë më duket edhe e frikshme, se si imazhi i autorit për të ardhmen ka një ngjajshmëri alarmuese me botën tonë sot.”
Më tutje ajo shtoi edhe përshtypjet mbi vetë autorin dhe mjeshtërinë e stilit të tij.
“Autori Ray Bradbury e ka shkruar këtë libër në mënyrën më mbresëlënëse dhe të mprehtë, ku përmes një imazhi nga imagjinata e tij na tregon se si bota do të ishte e mangët pa libra. Nuk besoj që dikush do të mund ta paraqiste më mirë situatën tonë sesa autori Ray Bradbury.”
Kurse Era Bytyqi, me këtë vepër e bëri një lidhje në mes dëshirës për të lexuar dhe shoqërisë në të cilën jetojmë.
“Libër fantastik, me një mesazh tejet aktual dhe domethënës. Libër që lexohet me një frymë! Ngjarjet, personazhet, mesazhi të bëjnë për vete menjëherë. Mënyra se si autori zgjodhi të drejtojë këtë mesazh te lexuesit është interesante. Libër që të bën të ndalesh dhe të mendosh për jetët e shpejta dhe pa ndjenja të shoqërisë tonë, dëshirën e madhe për tu dalluar nga të tjerët mirëpo dëshirën e vogël për të lexuar e për të ditur!” tha ajo.
Ndërkaq, një tjetër fituese, Fitore Ismaili pati komentet e veta mbi këtë vepër.
“Fillimisht libri ka qenë i ngjajshëm deri në një masë të caktuar me librin “Hajdutja e librave” nga Markus Zusak . Në të dyja këto romane, librat digjen dhe nuk lejohen të lexohen nga të tjerët. Një nga citimet e tij që më ka lënë përshtypje mjaft të mirë dhe që mendoj se e përmbledh pothuajse të gjithë librin apo më mirë të themi atë se çfarë autori ishte duke u thënë lexuesve është: “Ju nuk keni nevojë të digjni libra për të shkatërruar një kulturë. Thjesht i bëni njerëzit të ndalojnë së lexuari” dhe e dimë se kur njerëzit ndalojnë së lexuari ata ndalojnë edhe së menduari.”
Era Thaqi, një fituese tjetër, na tregoi më shumë rreth rëndësisë së leximit dhe se çka paraqet leximi për te.
“Leximi është tejet i rëndësishëm për një mendje të shëndetshme. Na ndihmon që të zhvillojmë intelegjencën tonë, të shohim botën me një vizion tjetër, pasi që sa herë që lexojmë, mendja jonë pasurohet me njohuri. Leximi na mundëson që të zhvillojmë kreativitetin tonë, sepse ne jemi në kontroll, se si i paraqesim personazhet, kohën e vendin.
Me anë të librave ne jemi një hap më para me informacione të reja. Mund të zhvillojmë mendimin kritik, të jemi më të rrjedhshëm gjatë bisedave dhe të krijojmë argumentet tona. Na mundëson t’i perceptojmë dukuritë e ndryshme me një perspektivë ndryshe. Na dhuron një vizion të ri, ide të reja dhe ndihemi më të përmbushur shpirtërisht dhe mentalisht!”
Për librin “Të gjithë duhet të jemi feministë” nga autorja Chimamanda Ngozi Adichie, fituesja tjetër Kaltrina Rrafshi, pati këto përshtypje.
“Ka fare pak rëndësi gjinia në një punë, pasi që vullneti dhe sakrificat për të arritur atë që duam janë mbi të gjitha. Si mesazh kam marrë që edhe pse je një femër nuk nënkupton që nuk mund të bësh atë çfarë do. Kur shikon para dhe nuk dëgjon thashethemet që thonë të tjerët, suksesin e ke afër. Të besuarit në vete është një nga tiparet që duhet të kesh për të nisur një rrugë ku fundin e saj e arrin ashtu si deshe. Autorja ka bërë çmos dhe ka arritur që ky libër i saj të përkthehet në disa gjuhë dhe të lexohet në disa vende. Të kuptojnë njerëzit që askush, askënd nuk mund ta pengojë të bëj diçka.”
Kjo fushatë është pjesë e aktiviteteve ambientaliste, që është e financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, (SIDA) përmes Programit të saj Human Rightivism.
Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.