Konferenca “Ndërtimi i Kulturës së Vullnetarizmit nga Individët tek Institucionet” 2025

4 Dhjetor, 2025

Javën e kaluar mbajtëm Konferencën “Ndërtimi i Kulturës së Vullnetarizmit nga Individët tek Institucionet” – një event që mblodhi të rinj, institucione, shkolla, biznese dhe komunitete nga e gjithë Kosova për të festuar vullnetarizmin dhe angazhimin qytetar në vend!

·         Folësit Kyç të Konferencës

Konferenca u hap me një fjalim nga Shefi i Bashkimit Evropian ne Kosovë, Aivo Orav. Ai potencoi rolin thelbësor që vullnetarizmi ka në forcimin e komuniteteve, thellimin e demokracisë dhe fuqizimin e të rinjve të Kosovës. Ai vuri në pah mbështetjen e gjatë të Bashkimit Evropian për ndërtimin e strukturave të qëndrueshme të vullnetarizmit në Kosovë dhe lavdëroi angazhimin në rritje të shkollave, komunave, bizneseve dhe shoqërisë civile, duke bërë thirrje njëkohësisht për një përkushtim edhe më të fortë institucional që vullnetarizmi të bëhet një kulturë e qëndrueshme kombëtare.

Pas shefit të BE-së, fjalim mbajti edhe Drejtorja Ekzekutive e TOKAs, Hatixhe Zeka. Ajo theksoi se ndërtimi i një kulture të qëndrueshme të vullnetarizmit në Kosovë kërkon jo vetëm politika, por edhe angazhim aktiv nga individët, institucionet dhe komunitetet, duke vënë në pah shembuj frymëzues nga puna e TOKA-s dhe modele të suksesshme ndërkombëtare si Suedia. Ajo bëri thirrje për përkushtim të përbashkët që vullnetarizmi të bëhet pjesë thelbësore e edukimit, identitetit dhe jetës qytetare.

·        Prezantime

Gjatë konferencës u mbajtën dy prezantime, një nga ekipi i TOKAs, dhe i dyti nga Instituti i Psikologjisë.

Prezantimi i parë “Modelet Inovative për Angazhim të të Rinjve”, i udhëhequr nga Nuhi Tërshani dhe Leonita Bajra – Menaxherë Seniorë të Projekteve në TOKA, reflektoi mbi Ditën e Solidaritetit dhe Vullnetarizmin Edukativ ne Kosovë. Ata prezantuan arritjet kryesore të këtyre dy programeve përgjatë periudhës së tyre të implementimit, risitë në programe, si dhe hapat e radhës për vitin 2026 e më tej. Vetëm në këto dy programe janë angazhuar mbi 5,000 vullnetarë, duke implementuar më shumë se 315 projekte komunitare dhe duke siguruar marrëveshje bashkëpunimi me 10 komuna të Kosovës. Ata gjithashtu njoftuan të pranishmit për lansimin e platformës CEL – Civic Engagement and Learning, një hapsirë e re digjitale e krijuar për të mbështetur të rinjtë në procesin e mësimit dhe angazhimit qytetar.

Prezantimi i dytë u udhëhoq nga Laura Cakolli nga Instituti i Psikologjisë. Ajo nënvizoi rezultatet kryesore të raportit të përbashkët: Eksplorimi i Shëndetit Mendor dhe Mirëqenies së Fëmijëve në Zonat Rurale dhe në Mjedise me Status të Ulët Socio-Ekonomik në Kosovë dhe Rumani, një hulumtim i realizuar nga Instituti i Psikologjisë, Universiteti i Prishtinës, TOKA dhe Noi Orizonturi (Rumani). Studimi zbulon se të rinjtë kosovarë kanë menaxhim më të mirë emocional dhe mirëqenie më të lartë, ndërsa rumunët identifikojnë shqetësimet më herët por shfaqin më shumë stres dhe mbështeten më shumë te miqtë.

·         Panele Diskutimi

Gjatë konferencës pati edhe dy panele diskutimi.

Paneli i parë, moderuar nga Arbrita Uka (Gazetare dhe Hulumtuese, BIRN Kosova), u titullua “Modelet Inovative të Bashkëpunimit Lokal për Fuqizimin e të Rinjëve”. Pjesëtarët e këtij paneli ishin Naim Behlulaj (Drejtor i Drejtorisë së Arsimit, Istog), Selami Klaiqi (Drejtor i Gjimnazit “Ismail Qemali”, Kamenicë), Fisnik Nimoni (Drejtor Ekzekutiv, ASET SHPK, Pejë) dhe Delvina Bejta (Vullnetare e TOKAs). Ky panel kishte për qëllim bashkëpunimin në nivel lokal, dhe vuri në pah se si Dita e Solidaritetit i ka bërë bashkë komunën, bizneset dhe shkollat – si një model i mirë që po ndihmon zhvillimin në nivel lokal. 

Paneli i dytë, titulluar “Vullnetarizmi Edukativ dhe Shëndeti Mendor”, u moderua nga Gonxhe Konjufca (Gazetare dhe Zyrtare e Komunikimit, The Balkan Forum), dhe pjesëtarë ishin Prof. Dr. Aliriza Arënliu (Drejtor i Institutit të Psikologjisë, Universiteti i Prishtinës), Delvina Ahmetaj (Mësimdhënëse dhe Lidere e Klubit, Programi i Vullnetarizmit Edukativ), Leonita Bajra (Menaxhere Seniore e Projektit, TOKA). Ky panel kishte për qëllim eksplorimin e lidhjeve mes angazhimit vullnetar, mirëqenies emocionale dhe zhvillimit socio-emocional të të rinjve. Diskutimet nxorën në pah se si vullnetarizmi edukativ ndihmon në rritjen e vetëbesimit, ndjenjës së qëllimit dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme, ndërsa njëkohësisht kontribuon në komunitet.

·        Ceremonia e Ndarjes së Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit

Konferenca u përmbyll me ceremoninë e shumëpritur të Ndarjes së Çmimeve të Vullnetarizmit të Vitit! Çmimet janë ndarë në 3 kategori: Të Rinjtë, Mbështetësit e Vullnetarizmit, Edukim & OJQ. Më poshtë gjeni fituesit e secilës kategori:

Të Rinjtë:

1.       Sara Çeshko – Vullnetarja Guximtare e Vitit

2.       Diar Bekteshi – Vullnetari në Ngritje i Vitit

3.       Edesa Ibrahimi – Vullnetarja e Vitit

Mbështetësit e Vullnetarizmit

1.       Komuna e Istogut – Komuna më Përkrahëse e Vitit

2.       AnchorzUp – Biznesi më Përkrahës i Vitit

3.       Egzona Morina – Përfaqësuesja e Diasporës më Përkrahëse e Vitit

4.       Pranvera Hyseni – Figura Publike më Përkrahëse e Vitit

5.       Leman Kamberi Muriqi – Vullnetarja me Kontribut Jetësor e Vitit

Edukim dhe OJQ

1.       Klubi Solidar – Gjimnazi “Bedri Pejani”, Pejë – Çmimi Kombëtar i Vullnetarizmit Edukativ – Vendi 1

2.       Klubi i Super-Vullnetarëve “Yjet” – Çmimi Kombëtar i Vullnetarizmit Edukativ – Vendi 2

Konferenca “Ndërtimi i Kulturës së Vullnetarizmit nga Individët tek Institucionet” dëshmon se Kosova po bën hapa të rëndësishëm drejt krijimit të një ekosistemi të qëndrueshëm të angazhimit qytetar. Nga fjalimet frymëzuese, prezantimet kërkimore e deri te diskutimet praktike dhe ceremonia e çmimeve, ngjarja vuri në pah se vullnetarizmi është duke u shndërruar në një shtyllë të edukimit, identitetit dhe zhvillimit komunitar. Me mbështetjen e institucioneve, partnerëve, donatorëve dhe të rinjve, rrugëtimi drejt një Kosove ku vullnetarizmi është kulturë e jetuar, jo vetëm aspiratë – tashmë ka marrë hov të ri.

  • Donatorët

Një falenderim i veçantë shkon për donatorët tanë!

Çmimet e Vullnetarizmit të Vitit përkrahen nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë; programi Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia, “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera te Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkime dhe Krijimin e Politikave (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) përmes grantit rajonal dhe institucional, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA), Innovative Solutions dhe Programi “Erasmus+” projekti SLIPSTREAM (2023-1-SK02-KA220-YOU-000159836).

Financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura janë vetëm të autorit(ve) dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Bashkimit Evropian. As Bashkimi Evropian dhe as autoriteti dhënës nuk mund të mbahen përgjegjës për to.

  • Mbështetësit

Kampanja e Çmimit te Vullnetarizmit të sivjetshëm nuk do ishte e mundur pa mbështetësit tanë! Falenderojmë ambasadat, komunat, institucionet publike, bizneset dhe organizatat:

7arte, Ambasada e Britanisë në Prishtinë, Ambasada e Suedisë në Prishtinë, American Advising Center, American Chamber of Commerce, Atlas Institute, CB Mitrovica, CDF, Dokufest, Ec Ma Ndryshe, Eco Z, ETEA, Europe House Kosovo, Fondacioni BONEVET, Fondacioni Kosovar për Ndërmarrësi Sociale, Germin NGO, Gjethi (KÇ), Instituti Atomi, ISDY (Institute for Sustainability and Development of Youth), Karta Rinore Evropiane, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal-Mitrovicë, Komuna e Hanit të Elezit, Kosova Makers League, Kosovar Youth Council – KYC, Kutia, LAPS, Let’s Do it – Ta Pastrojmë Kosovën, Mother Teresa Society, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare – OEGJK, OHT – Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, OriginAL, Play International, Qendra Fit, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social – QIPS, Rilindja Gjelbër, Regional Youth Cooperation Office – RYCO, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Teach for Kosova, The Balkan Forum, The Ideas Parntership, Universiteti i Prishtinës, Ura e Bashkuar, Women’s Business Association She-ERA, YAHR, YIHR.

Share:

Të fundit

Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.

Rezultatet Kryesore nga dy Kampet e Punësueshmërisë

Lexo më shumë

Nga Kosova në Evropë – Rezultatet Frymëzuese nga Solidarët e Diasporës 2025!

Lexo më shumë

Konferenca “Ndërtimi i Kulturës së Vullnetarizmit nga Individët tek Instituci...

Lexo më shumë

Rrugëtimi i ri i fituesve të Bursave “Lulëzojnë” 2025–2026 ka nisur!

Lexo më shumë

Si një vullnetar i ri e ktheu Ditën e Solidaritetit në një lëvizje mbarëkombë...

Lexo më shumë

MBYLLUR* Hapet Thirrja për Kampin e Dytë të Punësueshmërisë për të Rinjtë

Lexo më shumë
Shiko te gjitha