Nga Kosova në Evropë – Rezultatet Frymëzuese nga Solidarët e Diasporës 2025!

26 Dhjetor, 2025

Dita e Solidaritetit, një iniciativë që ka fituar zemrat e shumë të rinjve dhe ka krijuar mundësi për përvojë të veçantë dhe angazhim aktiv, pas dy viteve të mbushura me suksese dhe histori të bukura në Kosovë, mori fluturim sërish – këtë herë drejt Londrës dhe Brukselit.

Në qeshorin e vitit 2025, diaspora shqiptare u bashkua me të njëjtën frymë që e ka bërë këtë nismë të veçantë: dëshirën për të dhënë dhe për të krijuar lidhje mes gjeneratave dhe komuniteteve, duke punuar për një ditë në biznese lokale e duke dhuruar pagën e tyre për një kauzë të veçantë.

Atmosfera e Ditës së Solidaritetit u përshkua me energji dhe entuziazëm në Londër dhe Bruksel, ku të rinjtë shqiptarë në diasporë u bashkuan me komunitetet lokale për të krijuar një ditë të mbushur me angazhim dhe solidaritet. Përmes bashkëpunimit me dy organizata shqiptare në diasporë – ALSA UK dhe VLERA – fryma e solidaritetit u bë ura që lidhte brezat e rinj me shoqërinë, duke i frymëzuar ata të japin më të mirën e tyre.

Në Londër, ALSA UK – një organizatë që beson në fuqinë e të rinjve, i ndihmon ata të ndërtojnë të ardhmen përmes bashkëpunimit, mësimit ndërmjet bashkëmoshatarëve dhe rrjetëzimit përmes teknologjisë. Me projekte që thyejnë barriera dhe promovojnë përfshirje, ALSA UK po rrit një brez të qëndrueshëm, të larmishëm dhe të gatshëm të ndryshojë botën.

Ndërsa në Bruksel, VLERA – organizata studentore shqiptare e Belgjikës, është bërë një strehë për kulturën, gjuhën dhe shpirtin shqiptar jashtë vendit. Përmes aktiviteteve, punëtorive dhe ngjarjeve që bashkojnë, ajo forcon lidhjen mes studentëve dhe rrënjëve të tyre – nga javët kulturore e mbrëmjet me ushqime tradicionale, deri te konferencat që bashkojnë komunitetin shqiptar në zemër të Evropës.

Forca që e bëri Ditën e Solidaritetit të veçantë ishin koordinatorët, të cilët me përkushtim dhe pasion, i udhëhoqën vullnetarët dhe i lidhën ata me bizneset, duke kthyer çdo ditë pune në një histori solidariteti dhe bashkëpunimi.

Në Londër, për realizimin e Ditës së Solidaritetit, të angazhuar ishin Gjovani Cinari, Louisa Dedi dhe përfaqësuesja Arisa Reka, të cilët koordinuan aktivitetet, krijuan lidhje të forta me bizneset lokale dhe i frymëzuan të rinjtë të japin më të mirën e tyre. Ndërsa në Belgjikë, roli i koordinimit u mbajt nga Fiollë Koci, Rinesa Bytyqi dhe Rinor Shala të cilët bashkëpunuan ngushtë me komunitetin lokal dhe me bizneset, duke siguruar që çdo vullnetar të përjetojë një ditë të paharrueshme dhe çdo kontribut të kthehet në mbështetje reale dhe konkrete për zhvillimin e komunitetit.

Kur erdhën ditët e Solidaritetit, më 20 qeshor në Londër dhe më 25 qeshor në Bruksel, energjia dhe pasioni i vullnetarëve tanë mbushën ambientet e bizneseve me frymë bashkëpunimi dhe solidariteti. Gjatë këtyre ditëve, u angazhuan gjithsej 31 vullnetarë, të cilët punuan me përkushtim në 14 biznese lokale, shndërruan një ditë pune të zakonshme në një eksperiencë të jashtëzakonshme duke transformuar përpjekjet e tyre në veprime që sollën ndryshim të drejtpërdrejtë dhe frymëzuan komunitetin.

Në këtë udhëtim të mbushur me energji dhe bashkëpunim, një rol të jashtëzakonshëm e luajtën bizneset me pronarë shqiptarë – që hapën dyert dhe zemrat e tyre për të rinjtë. Falë mbështetjes së tyre u bë i mundur krijimi i një fondi me vlerë prej 6,128.67 eurosh.

Një falënderim i veçantë shkon për bizneset që u bënë pjesë e këtyre ditëve dhe treguan se bashkë mund të krijojmë mundësi të reja për të rinjtë:

Londër: Naked Chips, Three Sixty Finance, ALSA UK, Merx Marketing Ltd, Leonita Metaj, Honest Land Solutions.

Belgjikë: Innovative Solutions, ShqipVille, Master Frites, Snack Tatayet, Lola at Lea – Le Cercle, Gérant – Fritland, Boucherie Sainte Alix, ADIDEN FINANCES, Mon Chéri, Altina Ademi.

Nga duart punëtore të vullnetarëve dhe koordinatorëve, si dhe zemërgjerësia e bizneseve, fondi i mbledhur u kthye në mbështetje për Bursat “Lulëzojnë”, një iniciativë që synon të përkrahë të rinjtë në zhvillimin e tyre personal dhe profesional.

Ky është edicioni i parë i bursave, duke ofruar mundësi konkrete për të nxitur talentin dhe ambiciet e të rinjve shqiptarë. Bursa ofron mbështetje financiare për të rinjtë nga familje me kushte të vështira ekonomike, duke përfshirë veçanërisht vajzat dhe ata nga zonat rurale dhe provinciale. Ajo ndihmon të rinjtë të zhvillojnë potencialin e tyre përmes arsimit dhe angazhimit qytetar.

Përveç qeshorit në Londër dhe Bruksel, në gusht të këtij viti, një energji e re mbushi rrugët e Kosovës kur Dita e Solidaritetit u përqendrua te diaspora.

Në kuadër të programit OriginAL, në bashkëpunim me organizatën GERMIN, 39 të rinj shqiptarë nga diaspora bashkuan për të sjellë ndryshim në komunitet – secili me historinë, energjinë dhe dëshirën për t’u lidhur me Kosovën.  Ata erdhën nga Maqedonia e Veriut, Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Portugalia, Spanja, Zvicra, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Norvegjia, Kanada dhe Suedia, duke e bërë Ditën e Solidaritetit një takim të vërtetë kulturash dhe zemrash që rrahin në të njëjtin ritëm.

Fondet e mbledhura u përdorën për të mbështetur një çmim në kuadër të Fushatës së Çmimeve të Vullnetarizmit – një iniciativë që synon të nderojë dhe vlerësojë individët që japin kontribut të jashtëzakonshëm për komunitetin, dhe të frymëzojë të tjerët të ndjekin të njëjtën rrugë solidariteti.

Ky vit tregoi fuqinë e vërtetë të solidaritetit: rrugët u mbushën me buzëqeshje, biznese hapën dyert dhe të rinjtë nga mbarë bota sollën energjinë dhe përkushtimin e tyre. Çdo përpjekje u kthye në veprime konkrete, duke ndikuar pozitivisht në komunitet dhe duke krijuar histori që do të mbeten gjatë në kujtesë.

Në të ardhmen, Dita e Solidaritetit synon të rritet dhe të shtrihet edhe në shtete të tjera, duke e kthyer këtë aktivitet në një traditë që bashkon brezat e rinj dhe komunitetet, dhe që tregon se solidariteti nuk njeh kufij.

U jemi falënderues Londrës, Brukselit dhe të gjithë solidarëve të diasporës – puna dhe zemra e tyre na kanë bashkuar në këto suksese të mahnitshme. Sepse edhe pse larg, ata dëshmuan se lidhja me Kosovën nuk njeh kufij – ajo shfaqet në çdo hap bashkëpunimi, në çdo ide që kthehet në ndryshim të vërtetë.

Share:

Të fundit

Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.

Rezultatet Kryesore nga dy Kampet e Punësueshmërisë

Lexo më shumë

Nga Kosova në Evropë – Rezultatet Frymëzuese nga Solidarët e Diasporës 2025!

Lexo më shumë

Konferenca “Ndërtimi i Kulturës së Vullnetarizmit nga Individët tek Instituci...

Lexo më shumë

Rrugëtimi i ri i fituesve të Bursave “Lulëzojnë” 2025–2026 ka nisur!

Lexo më shumë

Si një vullnetar i ri e ktheu Ditën e Solidaritetit në një lëvizje mbarëkombë...

Lexo më shumë

MBYLLUR* Hapet Thirrja për Kampin e Dytë të Punësueshmërisë për të Rinjtë

Lexo më shumë
Shiko te gjitha