Fuqizoni rininë, dhuroni për Bursën “Lulëzojnë”
DHURO TANI!Dita e Solidaritetit është shndërruar në një hapësirë ku të rinjtë gjejnë zë, përvojë dhe mundësi për angazhim aktiv. Përmes energjisë, kreativitetit dhe ndjenjës së përgjegjësisë, edhe në vitin 2025 ky program u shndërrua në rezultate dhe iniciativa konkrete që adresuan nevoja reale, përmirësuan mjediset shkollore dhe forcuan lidhjen mes të rinjve dhe komunitetit.
Hap pas hapi po ju tregojmë arritjet e këtij programi:
KLUBET SOLIDARE 2025
Në vitin 2025, për herë të parë u themeluan 8 Klube Solidare me nxënës të shkollave të mesme ish vullnetarë të Ditës së Solidaritetit. Këto klube implementuan gjithsej 10 projekte me ndikim të drejtpërdrejtë në shkolla dhe komunitete.
Podujevë & Kamenicë: U përmirësua qasja në materiale mësimore për nxënësit dhe mësimdhënësit duke e pajisur shkollën me projektorë të rinj;
Skënderaj: U krijuan hapësira që nxisin përfshirjen dhe bashkëpunimin e nxënësve duke ndërtuar këndin e vullnetarëve në shkollë dhe duke i pajisur klasat me posterë informativ;
Han të Elezit & Ferizaj: U modernizua komunikimi digjital në shkolla duke blerë pajisje si TV dhe projektorë;
Istog: Iniciativat u fokusuan në mirëqenien e nxënësve përmes muraleve të finalizuara në ambientet e shkollës;
Gjakovë: U promovua trashëgimia kulturore duke blerë veshje kombëtare për Klubin e Vallëzimit të shkollës si dhe u realizuan aktivitete gjithëpërfshirëse;
Pejë: Klubi Solidar u dallua me realizimin e dy projekteve: Digjitalizimin e klasave në Gjimnazin “Bedri Pejani” duke e pajisur me projektorë dhe mbështetjen e OJQ-së “Qendra për jetë të pavarur” në Pejë, duke ofruar materiale për fëmijët që janë pjesë e kësaj qendre.
Një arritje e jashtëzakonshme e këtij viti ishte edhe Çmimi Kombëtar i Vullnetarizmit Edukativ. Si vlerësim i angazhimit dhe ndikimit të rëndësishëm në shoqëri, Klubi Solidar i Pejës u nderua me vendin e parë në kategorinë e grupeve jo-formale.
Përtej projekteve të realizuara, Dita e Solidaritetit u fokusua edhe në fuqizimin e të rinjve duke përgatitur gjeneratën e ardhshme të liderëve të rinj. Klubeve Solidare iu krijua hapësirë për të mësuar, reflektuar dhe zhvilluar aftësi që do t’i shoqërojnë të rinjt në të ardhmen.
KAMPI I LIDERSHIPIT 2025
Nga 4 deri më 7 gusht, Kampi i Lidershipit mblodhi 36 ish-vullnetarë të Ditës së Solidaritetit nga 7 komuna të Kosovës.
Këta të rinj përmes aktiviteteve të Edukimit Jo-Formal gjatë 4 ditëve të kampit, u njohën me njëri tjetrin, patën mundësinë të mësojnë më shumë për programin e Ditës së Solidaritetit si dhe të përgatiten për të marrë rol aktiv në organizimin e Ditës së Solidaritetit 2025/26 – si liderë të rinj në komunat e tyre.
DIASPORA + TOKA
Në qershor të vitit 2025, diaspora shqiptare u bashkua sërish me frymën e Ditës së Solidaritetit. Në Londër dhe Bruksel, përmes dy organizatave shqiptare në diasporë ALSA UK dhe VLERA, të rinjtë shqiptarë u angazhuan në biznese lokale. Kjo energji vazhdoi edhe gjatë muajit gusht, ku përmes programit OriginAL, në bashkëpunim me GERMIN, të rinjtë e diasporës erdhën në Kosovë për të kontribuar drejtpërdrejt në komunitet. Për më shumë klikoni këtu.
IMPLEMENTIMI I DITËS SË SOLIDARITETIT 2025
Dita e Solidaritetit në vitin 2025, u zgjerua duke përfshirë për herë të parë Komunën e Shtimes dhe Prishtinës, dhe duke e çuar në dhjetë numrin e komunave pjesëmarrëse.
Secila komunë dëshmoi përkushtim të lartë dhe angazhim aktiv të të rinjve, shkollave dhe bizneseve lokale. Rezultatet sipas komunave janë si më poshtë:
Një e arritur e jashtëzakonshme e këtij edicioni ishte Komuna e Skënderajt, e cila për herë të parë realizoi Ditën e Solidaritetit plotësisht në mënyrë të pavarur, pa mbështetjen direkte të TOKA-s.
Në total në vitin 2025, Dita e Solidaritetit u realizua në 10 komuna të Kosovës, duke përfshirë gjithsej 419 vullnetarë dhe 161 biznese partnere, të cilët përmes angazhimit të tyre kontribuan në grumbullimin e mbi 5000 euro për projekte komunitare.
Pas përfundimit të Ditës së Solidaritetit, u administrua pyetësori i vullnetarëve ku 79.5% e vullnetarëve ndihen më të përgatitur për tregun e punës, ndërsa 85.5% u larguan nga kjo përvojë më të motivuar për t’u angazhuar sërish në punë vullnetare.
Përvojat e disa prej vullnetarëve mund t’i gjeni më poshtë:
“Për mua, ky angazhim ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, pasi na u dha mundësia të kontribuojmë. E njëjta ndjesi ishte edhe për bashkëmoshatarët e mi, të cilët u angazhuan në biznese të ndryshme dhe fituan përvoja të paharrueshme. Falë mentorëve tanë, të cilët na mbështetën dhe na lehtësuan punën, ky projekt përfundoi me sukses. Faleminderit, TOKA.” – Era Klaiqi
“Gjatë kësaj dite mësova sa shumë vlerë ka puna e përbashkët dhe sa e rëndësishme është të japim nga vetja për diçka që sjell të mira për komunitetin tonë. Pashë nga afër përkushtimin, organizimin dhe mundin që kërkon çdo punë, dhe kuptova se kontributet e vogla krijojnë ndryshime të mëdha kur bashkohen së bashku. Ju faleminderit për mbështetjen dhe mundësinë e ofruar.” – Blerim Blakqori
“Dita e Solidaritetit ka qenë një përvojë që nuk do ta harroj lehtë. Për herë të parë në komunën tonë kemi realizuar diçka kaq të bukur. Gjatë këtij aktiviteti mësova sa vlerë ka të ndihmosh, të bashkëpunosh dhe t’i qëndrosh pranë njëri-tjetrit. Kam parë se kur secili jep pak, së bashku krijojmë diçka të madhe. Kjo përvojë më bëri të ndihem krenar që isha pjesë e kësaj dite dhe që pata mundësinë të kontribuoj për komunitetin tonë. Faleminderit, TOKA.” – Resul Bungu
Pas këtij rrugëtimi qëndrojnë mësimdhënës, mentorë, liderë të rinj dhe biznese që besuan te potenciali i të rinjve dhe krijuan hapësira ku ata mund të rriteshin. Çdo derë e hapur dhe çdo orë e ndarë me vullnetarët u kthye në një mësim të vlefshëm dhe në një lidhje që shkon përtej një dite.
Gjatë periudhës 2023-2025 mbi 1,500 vullnetarë u angazhuan në më shumë se 305 biznese partnere, ndërsa 119 të rinj vazhduan rrugëtimin e tyre drejt roleve udhëheqëse. Në zbatimin e aktivitetit kontribuan 41 mësimdhënës nga dhjetë shkolla të mesme, duke rezultuar në 14 projekte komunitare të realizuara.
Ne jemi jashtëzakonisht krenarë për çdo individ dhe biznes që dha kontribut në këtë rrugëtim dhe la pas një ndikim që vazhdon përtej kësaj dite.
Dita e Solidaritetit do të vazhdojë të implementohet edhe në vitin 2026, duke lënë hapësirë për iniciativa të reja, bashkëpunime dhe histori që ende nuk janë shkruar.
Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.