Bursa të hapura “LULËZOJNË”

1 Qershor, 2026

Bursa të hapura – përfituan 5 studentë pa një profil të caktuar, siç është kërkuar nga donatorët, të mbështetur nga ALSA UK, VLERA, Betim Deva dhe Flutra Osmani dhe donatorë të tjerë individualë. Qëllimi i bursës: Të fuqizojë të rinjtë nga komunitetet më të paprivilegjuara në Kosovë dhe të ofrojë mundësi për përparim përmes arsimit dhe përfshirjes sociale.

Alisa Fejza është nga Prishtina dhe është në vitin I të studimeve në Arkitekturë, në Universitetin e Prishtinës. Kreative dhe shumëdimensionale, ajo dallohet për angazhimin e saj në fusha të ndryshme si arti, animacioni dhe udhëheqja rinore. Ka qenë presidente e klubit Interact M3, ka realizuar filma të shkurtër të animuar, ka fituar mbështetje për projekte artistike dhe madje ka hapur edhe studion e saj të animacionit. Në kohën e lirë merret me vizatim, videografi, tenis dhe kompozim në piano. Alisa synon që në të ardhmen t’i kontribuojë komunitetit në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më të sigurt për rininë.

Anda Hoxha është nga Gjakova dhe është në vitin II të studimeve juridike, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. E përkushtuar dhe ambicioze, ajo ka përballuar me sukses sfidat e studimeve duke zhvilluar disiplinë, përgjegjësi dhe aftësi të mira në menaxhimin e kohës. Krahas angazhimit akademik, ajo ka qenë aktive edhe në vullnetarizëm, duke forcuar shkathtësi si puna në ekip, organizimi dhe komunikimi efektiv. Në kohën e lirë merret me piano dhe aktivitet fizik. Në të ardhmen, Anda synon të kontribuojë në drejtësi dhe në forcimin e sistemit juridik në Kosovë.

Egzon Maksutaj është nga Deçani dhe është në vitin II të studimeve në Arkitekturë, në Universitetin e Prishtinës. I organizuar dhe kreativ, ai ka përballuar sfidat financiare dhe ngarkesën e projekteve gjatë studimeve, duke vazhduar të zhvillojë aftësitë e tij në këtë fushë. Egzoni dallohet për punë praktike, mendim logjik, punë në grup dhe menaxhim të kohës, ndërsa në kohën e lirë merret me vizatim dhe pikturë. Në të ardhmen, ai synon të bëhet arkitekt dhe të kontribuojë në zhvillimin e Kosovës, veçanërisht përmes krijimit të objekteve rekreative që u shërbejnë komuniteteve.

Eriola Hasanaj është nga Gjakova dhe është në vitin III të studimeve në Kujdes dhe Mirëqenie Sociale, në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë. Empatike dhe e angazhuar, ajo ka kombinuar me sukses studimet me një varg aktivitetesh vullnetare dhe komunitare, duke kontribuar në mbështetjen e grave, të rinjve dhe personave me aftësi të kufizuara. Eriola dallohet për aftësitë organizative, komunikimin, udhëheqjen dhe përkushtimin e saj ndaj çështjeve sociale. Në kohën e lirë pëlqen leximin, ecjen në natyrë, filmat, serialet dhe udhëtimet. Në të ardhmen, ajo synon të bëhet një punëtore sociale e denjë dhe të ofrojë shërbime sociale për grupet e margjinalizuara, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Erlida Mulaku është nga Kaçaniku dhe është në vitin I të studimeve në Inxhinieri Industriale me Informatikë, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. E përkushtuar dhe e organizuar, ajo dallohet për komunikimin, empatinë dhe angazhimin e saj për çështje sociale, duke synuar gjithmonë t’i shërbejë komunitetit përmes profesionalizmit dhe humanizmit. Gjatë rrugëtimit të saj, Erlida ka treguar vullnet për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të ndërtuar një të ardhme ku dijen dhe aftësitë profesionale i vendos në shërbim të të tjerëve. Në të ardhmen, ajo synon të zhvillohet në fushën e saj dhe të kontribuojë në komunitet me punë, përgjegjësi dhe ndjeshmëri ndaj nevojave të njerëzve përreth.

Kliko këtu për të parë faqen kryesore të Bursës “LULËZOJNË”

Bursat “LULËZOJNË” janë mbështetur nga ISA Consulting Group, Innovative Solutions, Familja Xharra, Familja Gjurgjeala, Shoqata e Studentëve VLERA – Bruksel, Shoqata ALSA UK – Londër, Flutra Osmani & Betim Deva, Donatorët nga Panairi i Shitjes në Gala të 10 vjetorit të TOKAs dhe donatorët individualë.

Share:

Të fundit

Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.

Bursa të hapura “LULËZOJNË”

Lexo më shumë

Bursistët e “LULËZOJNË x Innovative Solutions”

Lexo më shumë

Bursistët e “LULËZOJNË x Fatlinda Drejta Karahoda”

Lexo më shumë

Bursistët e “LULËZOJNË x Mehmet Gjevori”

Lexo më shumë

Bursistët e “LULËZOJNË x ISA Consulting Group”

Lexo më shumë

Akreditohen për periudhë 3-vjeçare dy programe trajnuese për mësimdhënës mbi ...

Lexo më shumë
Shiko te gjitha