Fuqizoni rininë, dhuroni për Bursën “Lulëzojnë”
DHURO TANI!Dita e Solidaritetit, një iniciativë që ka bashkuar të rinjtë rreth vlerave të solidaritetit dhe dëshirës për të kontribuar, vazhdoi rrugëtimin e saj edhe në vitin 2026.
Pas sukseseve të krijuara në Kosovë dhe diasporë, këtë vit Dita e Solidaritetit u rikthye në Bruksel dhe poashtu mori rrugë drejt një destinacioni të ri – Gjenevës, duke sjellë së bashku të rinjtë shqiptarë dhe bizneset për një qëllim të përbashkët: mbështetjen e të rinjve në Kosovë.
Ideja mbeti po aq e thjeshtë, të rinjtë angazhohen për një ditë pune në biznese, ndërsa pagesa e asaj dite dhurohet për një kauzë që krijon ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet, e që të rinjtë nga diaspora zgjodhën që edhe kësaj radhe të përkrahnin studentët në Kosovë duke ua dedikuar fondet e mbledhura programit të bursave “Lulëzojnë”.
Ndërkohë, solidariteti nuk mungoi as në Londër ku komuniteti shqiptar u mobilizua përmes një kampanje online për ngritjen e fondeve, duke bashkuar kontributet e diasporës në mbështetje të bursave “Lulëzojnë” për të rinjtë në Kosovë.
Nëse dëshironi të shihni më shumë për kampanjën në Londër apo të kontribuoni, shihni këtu.
Më 29 prill 2026, në bashkëpunim me organizatën studentore shqiptare të Belgjikës VLERA, Dita e Solidaritetit u rikthye duke vazhduar partneritetin dhe angazhimin e përbashkët për fuqizimin e të rinjve.
Në zemër të organizimit ishin koordinatoret Rinesa Bytyqi dhe Blerta Kas, të cilat ndihmuan në lidhjen e 12 të rinjve me 10 biznese lokale dhe në realizimin e një dite ku puna vullnetare u shndërrua në mbështetje konkrete për studentët në Kosovë. Fondet e mbledhura përmes Ditës së Solidaritetit synojnë të lehtësojnë disa nga shpenzimet kryesore që studentët hasin gjatë studimeve të tyre, duke përfshirë librat, banimin dhe teknologjinë.
Një falënderim i veçantë shkon për bizneset që u bënë pjesë e Ditës së Solidaritetit në Belgjikë dhe treguan se bashkë mund të krijojmë mundësi të reja për të rinjtë:
ㅇBelgjikë: Adiden Finances, Innoovative Solutions, Fiollë Koca, Alba Restaurant, HVE Engineering Service, Boucherie Sainte Alix, Rosita’s Cantina, Fritland, Bee Aesthetic dhe Le Vignoble.
Më 20 qershor 2026, Dita e Solidaritetit u organizua për herë të parë në Gjenevë, në bashkëpunim me organizatën studentore për studentët dhe kulturën shqiptare në Universitetin e Gjenevës në Zvicër – AEAUG, duke sjellë së bashku të rinjtë shqiptarë dhe bizneset lokale po për të njëjtën kauzë.
Nën koordinimin e Dritë Asllanit dhe Elda Gashit, 12 vullnetarë u angazhuan në 3 biznese lokale, duke punuar për një ditë dhe duke e kthyer atë në kontribut për të rinjtë në Kosovë.
Edhe fondet e mbledhura në Gjenevë iu dedikuan programit të bursave “Lulëzojnë”, duke kontribuar në mbulimin e nevojave të studentëve për libra, banim dhe teknologji.
Faleminderit bizneseve që u bënë pjesë e Ditës së Solidaritetit në Gjenevë dhe treguan se puna vullnetare mund të krijojë mundësi të reja për të rinjtë:
ㅇGjenevë: Ilazi Law, Groupe Orllati dhe Restaurant L’Adriatique.
Nga Brukseli në Gjenevë, secili vullnetar, koordinator dhe biznes pjesëmarrës u bë pjesë e një zinxhiri solidariteti që lidh diasporën me Kosovën dhe një brez të rinjsh me një tjetër.
Përveç muajve prill dhe qershor, edhe muaji gusht i këtij viti solli në Kosovë energjinë, përkushtimin dhe vullnetin e të rinjve nga diaspora.
Në kuadër të programit OriginAL, në bashkëpunim me organizatën GERMIN, 38 të rinj shqiptarë nga diaspora u bashkuan për të punuar për një ditë në Kosovë, duke sjellë me vete përvoja të ndryshme, energji dhe dëshirë për të dhënë kontribut në komunitet.
Pjesëmarrësit erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Danimarka, Gjermania, Turqia, Portugalia, Franca, Spanja, Austria, Zvicra, Italia dhe Belgjika, duke e bërë këtë aktivitet një shembull të lidhjes së vazhdueshme të të rinjve të diasporës me Kosovën.
Fondet e mbledhura përmes angazhimit të tyre do të përdoren për të mbështetur një çmim në kuadër të fushatës së Çmimeve të Vullnetarizmit. Ky çmim synon të nderojë dhe vlerësojë individët që, përmes punës dhe angazhimit të tyre, japin kontribut të rëndësishëm për komunitetin, si dhe të frymëzojë të tjerët që të ndjekin të njëjtën rrugë.
Faleminderit bizneseve që u bënë pjesë e Ditës së Solidaritetit me Diasporë në Kosovë, duke bërë të mundur që të rinjtë nga diaspora të mësojnë më shumë për vendlindjen e tyre dhe të lidhen më afër me të.
ㅇPrishtinë: Green & Protein, Lotta’s Pizza Bar, Bubble Pub, Crust N Crumb, Frix, Pepperific, Pasta Fasta, Papirun, Tartine dhe Restaurant Beni.
Nga pranvera e deri në ditët e fundit të verës, ky vit na përcolli me vullnetin dhe energjinë e të rinjve të diasporës për të kontribuar në vendin e tyre. Çdo përpjekje u shndërrua në veprim, duke krijuar përvoja dhe histori që do të mbeten gjatë në kujtesë.
Rrugëtimi i Ditës së Solidaritetit nuk përfundon këtu, me synimin për t’u shtrirë në gjithnjë e më shumë vende, ajo po vazhdon rrugëtimin drejt një tradite që afron brezat e rinj me vendlindjen, lidh komunitetet dhe dëshmon se solidariteti nuk njeh kufij.
U jemi mirënjohës vullnetarëve të Londrës, Brukselit, Gjenevës dhe të gjithë solidarëve të diasporës – puna dhe zemra e tyre po vazhdon të tregojë se distanca nuk e zvogëlon lidhjen me vendlindjen. Përkundrazi, kur të rinjtë bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, kilometrat mes diasporës dhe Kosovës shndërrohen në ura bashkëpunimi.
Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.