Fuqizoni rininë, dhuroni për Bursën “Lulëzojnë”
DHURO TANI!Datat 21-29 korrik ishin shumë të veçanta për 32 të rinjë nga cepa të ndryshëm të botës.
Kampi Ndërkombëtar i Paqes 2026 bashkoi adoleshentë nga Kosova, Shqipëria, Izraeli, Palestina dhe Shtetet e Bashkuara në Prizren, në një javë ku dialogu ishte pjesë e rutinës së përditshme.
Kampi u organizua nga TOKA në bashkëpunim me Debate for Peace nga Izraeli dhe partnerët nga Fort Dodge, Iowa, duke sjellë së bashku pesë delegacione në një program të ndërtuar rreth dialogut, empatisë dhe bashkëpunimit.
Ditët e para nisën me njohjen e njëri-tjetrit dhe krijimin e besimit brenda grupit. Përmes lojërave, sfidave ekipore dhe aktiviteteve kreative, pjesëmarrësit filluan të krijonin lidhje përtej delegacioneve me të cilat kishin ardhur.
Por programi evuloi gradualisht në aktivitete më të thella.
Boshti i programit përfshiu pesë sesione dialogu, të mbajtura në grupe të përziera.
Dialogu nuk u zhvillua vetëm përmes diskutimeve. Aktivitetet të tjera si “Empathy Storytelling”, “Writers Matter” e “Music for Dialogue” mundësuan që kampistët të thellohen edhe më shumë në përvojat e njëri-tjetrit, në forma kreative. Sesionet e dialogut u udhëhoqën nga Steven Aiello dhe Hala Abusaris nga Debate for Peace. Debate for Peace bashkon studentë Arab dhe Hebrenj nga territore Izraelite dhe Palestineze për të debatuar, negociuar dhe për të tentuar zgjidhjen e konflikteve dhe sfidave globale. Më shumë për Debate for Peace gjeni këtu.
Të rinjtë u përballën me sfida ku duhej të ndërtonin, krijonin, negocionin dhe merrnin vendime së bashku. Në aktivitetet grupore, atyre iu kërkua, ndër të tjera, të gjenin gjërat që kishin të përbashkëta, të shkruanin në gjuhët e kampit, të ndërtonin anije, kulla me pasta e kulla me balona.
Ndërkohë, programi kishte edhe shumë momente që thjesht u dhanë mundësinë të ishin adoleshentë së bashku: Iron Chef, turneu në basketboll e volejboll, Olimpiada e Ujit, Nata Kulturore dhe aktivitetet e tjera të mbrëmjes.

Në Natën Kulturore, secili delegacion kishte hapësirën për të prezantuar vendin dhe kulturën e vet përmes prezantimeve, kuizeve dhe materialeve të përgatitura nga vetë pjesëmarrësit. Një tjetër ditë i nxori të gjithë nga kampi për të eksploruar qytetin e bukur të Prizrenit.

Një nga synimet e kampit ishte që përvoja të mos përfundonte më 29 korrik.
Pjesëmarrësit punuan në Social Action Plans, duke zhvilluar dhe finalizuar ide që mund ta bartnin frymën e kampit në komunitetet e tyre.
Dhe rezultatet në fund të kampit tregojnë një ndryshim të madh në mënyrën se si pjesëmarrësit mendonin për konfliktin dhe rolin e tyre në ndërtimin e paqes.
85.7% e pjesëmarrësve thanë se besojnë se dëgjimi i perspektivave të ndryshme mund të ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve. 86% e konsideruan të rëndësishme të kuptuarit e të gjitha anëve të një konflikti, ndërsa 82.1% besojnë se të rinjtë mund të bëjnë ndryshim në promovimin e paqes.
Për disa, kjo ishte një botë krejtësisht e re: 93% po merrnin pjesë për herë të parë në një program të TOKA-s, ndërsa për 61% ishte përvoja e parë në një aktivitet të ndërtimit të paqes apo dialogut. Shihni rezultatet këtu.
Përtej shifrave, ndikimi i kampit shihet më së miri në mënyrën se si pjesëmarrësit e përshkruajnë vetë përvojën.
“Arrita të takoja njerëz krejtësisht të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe të krijoja lidhje me ta në mënyra që nuk do t’i kisha imagjinuar kurrë. Nuk mendoj se kam qenë ndonjëherë më aktive sesa gjatë kësaj jave, por ende kam shumë energji, motivim dhe ide brenda meje.”
Lisa Shahini, 16 vjeç
Në fund të nëntë ditëve, 32 të rinjtë u kthyen në shtëpi me më shumë sesa fotografi dhe kujtime nga vera. Ata morën me vete miqësi të reja, histori që nuk do t’i kishin dëgjuar ndryshe dhe një mënyrë të menduarit rreth konfliktit dhe dialogut dhe rolit që secili prej tyre mund të luajë në komunitetin e vet.
Falënderojmë veçanërisht Steven Aiello dhe ekipin e Debate for Peace, stafin nga Fort Dodge, Iowa, si dhe stafin nga Kosova, për përkushtimin dhe kontributin e tyre të çmuar, pa të cilët realizimi i këtij kampi nuk do të ishte i mundur.
Mirënjohje e veçantë shkon gjithashtu për Ozon Space LLC, për mbështetjen me dy bursa për dy kampistë, si dhe për kompaninë Lorik Shala BI – N.SH. Rilokimi, për kontributin dhe mbështetjen në realizimin e kampit.
Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.