Fuqizoni rininë, dhuroni për Bursën “Lulëzojnë”
DHURO TANI!Bursa “LULËZOJNË me ISA Consulting Group” – përfituan 11 studentë të vitit të tretë në fushën e IT-së, të mbështetur nga ISA Consulting Group. Isa Consulting Group është kompani me seli në Tampa, Florida, që ofron shërbime në fushën e konsulencës dhe teknologjisë në Amerikën e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor.

Albesa Nishori është nga Magura, Lipjan dhe është në vitin III të studimeve në Shkenca Kompjuterike në Universum International College. E përgjegjshme dhe kurioze, ajo ka vazhduar studimet me përkushtim, ndërsa bursa i ka ndihmuar të fokusohet më shumë në zhvillimin akademik dhe profesional. Albesa dallohet për shkathtësitë në programim, teknologji informative, punë në ekip dhe organizim të kohës, ndërsa krahas studimeve ka interes edhe për gjuhët e huaja. Në të ardhmen, ajo synon të bëhet software developer e suksesshme dhe mentore për gjeneratat e reja, duke synuar t’i inkurajojë sidomos vajzat të besojnë në veten dhe dijen e tyre.

Anita Jashari është nga Mitrovica dhe është në vitin III të studimeve në Shkenca Kompjuterike në IBCM, Mitrovicë. E motivuar dhe e qëndrueshme, ajo ka vazhduar studimet me përkushtim pavarësisht sfidave financiare, duke qëndruar e fokusuar në zhvillimin e saj profesional në fushën e teknologjisë. Anita dallohet për aftësitë në menaxhimin e kohës, punën në ekip dhe zgjidhjen e problemeve, ndërsa krahas studimeve pëlqen leximin e librave mister. Në të ardhmen, ajo synon të ndërtojë një karrierë të suksesshme në IT dhe t’i bashkohet një kompanie të madhe si programuese.

Arila Behrami është nga Podujeva dhe është në vitin III të studimeve në Inxhinieri Softuerike, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Universiteti i Prishtinës. E përqendruar dhe ambicioze, ajo ka përballuar sfidat financiare dhe menaxhimin e kohës gjatë studimeve me shumë përkushtim dhe disiplinë. Arila dallohet për suksesin akademik, aftësitë e mira teknike dhe dëshirën për zhvillim të vazhdueshëm në fushën e teknologjisë. Në kohën e lirë pëlqen leximin, veçanërisht veprat e Viktor Canosinajt. Në të ardhmen, ajo synon të ndërtojë një karrierë të qëndrueshme dhe të suksesshme në fushën e IT-së.

Arizona Rexhbogaj është nga Boga e Rugovës, Pejë, dhe është në vitin III të studimeve në Elektronikë, Automatikë dhe Robotikë, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Universiteti i Prishtinës. E disiplinuar dhe e përpiktë, ajo ka përballuar sfidat financiare dhe ngarkesën akademike me përgjegjësi dhe vullnet për të mësuar vazhdimisht. Arizona dallohet për shkathtësi analitike, zgjidhje të problemeve, komunikim të qartë dhe punë efektive në ekip. Në të ardhmen, ajo synon të zhvillohet si inxhiniere profesioniste, të kontribuojë në zhvillimin teknologjik dhe ekonomik të Kosovës, dhe një ditë t’i mbështesë të rinjtë përmes punësimit, trajnimeve, arsimimit të vazhdueshëm apo mbështetjes financiare.

Azra Maksuti është nga Ferizaji dhe është në vitin III të studimeve në Informatikë të Aplikuar, në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Informatikës, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. E angazhuar dhe me shpirt udhëheqës, ajo ka arritur rezultate të larta akademike dhe ka qenë aktive në iniciativa rinore e vullnetare, përfshirë rolin si Kryetare e Asamblesë së Fëmijëve të Ferizajt. Azra dallohet për shkathtësi në programim, komunikim, punë në ekip dhe menaxhim të kohës, ndërsa krahas studimeve pëlqen udhëtimet, muzikën, leximin dhe hulumtimin rreth programimit. Në të ardhmen, ajo synon të ndërtojë një karrierë ku vlerësohen aftësitë e saj, të vazhdojë zhvillimin akademik dhe profesional, si dhe t’ua shpërblejë prindërve mundin dhe besimin që kanë pasur tek ajo.

Dafina Peja është nga Vushtrria dhe është në vitin III të studimeve në Inxhinieri Kompjuterike në Universitetin Gazi në Ankara, Turqi. E qetë dhe vizionare, ajo ka përballuar sfidat e studimeve jashtë vendit duke investuar vazhdimisht në zhvillimin e saj profesional dhe në aftësitë praktike të nevojshme për fushën e teknologjisë. Dafina dallohet për aftësinë për të zgjidhur probleme nën presion, menaxhimin efektiv të kohës dhe punën produktive në grup. Në kohën e lirë pëlqen leximin, udhëtimet dhe muzikën klasike, veçanërisht veprat e Liszt dhe Chopin. Në të ardhmen, ajo synon të zhvillojë teknologji që përmirësojnë jetën e njerëzve dhe të hapë një kompani digjitale në vendlindjen e saj, duke kontribuar gjithashtu në rritjen e vetëdijesimit për digjitalizimin në sistemin e edukimit në Kosovë.

Festina Avdiu është nga Vushtrria dhe është në vitin IV të studimeve në Inxhinieri të Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Pécs, në Hungari. E përkushtuar dhe ambicioze, ajo ka përballuar sfidat e studimit jashtë vendit, duke menaxhuar kostot e jetesës dhe duke u përshtatur në një mjedis të ri kulturor, pa u shkëputur nga angazhimi i saj akademik dhe profesional. Në të ardhmen, Festina synon të zhvillohet në fushën e inxhinierisë kompjuterike dhe shkencës së të dhënave, duke ofruar zgjidhje teknologjike që e bëjnë jetën më të lehtë dhe më të qasshme për të gjithë. Ajo gjithashtu planifikon të vazhdojë studimet master në shkencën e të dhënave dhe të kontribuojë në krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë në fushën e teknologjisë.

Joni Ukmata është nga Gjakova dhe është në vitin III të studimeve në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT në Prishtinë. I pasionuar dhe i motivuar, ai është një i ri i cili nuk dorëzohet përballë vështirësive dhe gjithmonë kërkon të përmirësohet, duke ndërtuar gjatë studimeve një bazë të fortë teorike dhe praktike në IT përmes projekteve me teknologji moderne. Përmes bursës “LULËZOJNË”, Joni është lidhur me ISA Consulting Group, ku po zhvillon një internship profesional dhe po fiton përvojë të vlefshme për karrierën e tij. Në të ardhmen, ai synon të hapë një kompani për zhvillimin e web-aplikacioneve dhe të ofrojë zgjidhje teknologjike që ua lehtësojnë jetën njerëzve, ndërsa në kohën e lirë luan basketboll.

Lorika Hajdari është nga Gjilani dhe është në vitin III të studimeve në Shkenca Kompjuterike, në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. E motivuar dhe kreative, ajo ka përballuar sfidat akademike, financiare dhe emocionale me shumë vendosmëri, duke vazhduar të investojë vazhdimisht në zhvillimin e saj profesional. Lorika dallohet për aftësitë në programim, analizim të të dhënave dhe zgjidhje kreative të problemeve, ndërsa krahas teknologjisë zhvillon edhe pasionin për muzikën dhe gatimin. Në të ardhmen, ajo synon të punojë në një kompani ndërkombëtare të teknologjisë dhe të njihet në Kosovë për punën dhe kontributin e saj në fushën e programimit.

Viola Maksuti është nga Gjilani dhe është në vitin IV të studimeve në Teknologji Kompjuterike dhe të Informacionit në RIT Kosovo. Aktualisht, ajo po zhvillon një shkëmbim akademik në RIT New York, duke zgjeruar përvojën e saj ndërkombëtare dhe akademike. Ambicioze dhe me shpirt udhëheqës, Viola ka qenë e angazhuar në iniciativa rinore, akademike dhe profesionale, përfshirë themelimin dhe udhëheqjen e WiSTEM Club në RIT Kosovo, rolin si Young European Ambassador dhe angazhimin në Këshillin Rinor të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Ajo është vlerësuar edhe me çmimet “Vullnetarja e Vitit” dhe “Legacy Leader” për kontributin e saj në komunitet dhe në zhvillimin e studentëve. Në të ardhmen, Viola synon të kontribuojë në përmirësimin e arsimit, qeverisjes dhe mundësive për të rinjtë në Kosovë.
Kliko këtu për të parë faqen kryesore të Bursës “LULËZOJNË”
Bursat “LULËZOJNË” janë mbështetur nga ISA Consulting Group, Innovative Solutions, Familja Xharra, Familja Gjurgjeala, Shoqata e Studentëve VLERA – Bruksel, Shoqata ALSA UK – Londër, Flutra Osmani & Betim Deva, Donatorët nga Panairi i Shitjes në Gala të 10 vjetorit të TOKAs dhe donatorët individualë.
Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.