Jemi shumë të lumtur të njoftojmë se Kosova edhe një herë ka shkruar historinë në arenën ndërkombëtare! Klubi i Super Vullnetarëve ‘Yjet’ nga shkolla ‘Rexhep Akllapi’ ka fituar VENDIN E PARË në Edicionin e pestë të Çmimit Rajonal të Vullnetarizmit Edukativ në Sllovaki!
Projekti fitues “Një herë një hero, gjithë jetën hero” adresoi nevojat e komunitetit në fshatin rural ku këta të rinj jetojnë. Përmes trajnimeve të ofruara nga Kryqi i Kuq, vullnetarët u aftësuan në dhënien e ndihmës së parë dhe më pas kaluan njohuritë e tyre tek mbi 200 nxënës, prindër dhe mësues të komunitetit të tyre. Ky projekt kishte si synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgatitjes për raste emergjente, veçanërisht për të rinjtë që jetojnë në zona të thella rurale, ku rreziku gjatë aktiviteteve të përditshme është më i madh.
Gjithë ky angazhim dhe ndikim në jetët e vullnetarëve dhe komunitetit të tyre, u dallua nga juria rajonale dhe përfundimisht u shpërblye me çmimin e merituar. Aspekti që e veçoj këtë projekt sipas jurisë rajonale është Komponenti i Ndihmës së Parë, që u cilësua si një qasje inovative dhe me ndikim të madh. Ata theksuan përkushtimin e jashtëzakonshëm të nxënësve dhe përfshirjen aktive të tyre në shpërndarjen e njohurive tek komuniteti. Juria vlerësoi gjithashtu strukturën e mirëorganizuar të projektit, ku shkolla siguroi njohuritë bazë, të cilat më pas u përcollën te i gjithë komuniteti.
Duke pranuar çmimin, lideret e klubit, Arjeta Shillova dhe Mimoza Bytyqi, theksuan rëndësinë e këtij suksesi: ”Ky çmim i kushtohet Super Vullnetarëve tanë që punuan pa u lodhur në një fshat të vogël në Kosovë. Kjo dëshmon se ata vlejnë dhe munden, kur guxojmë të ëndërrojmë e arrijmë madhështinë”.
Ky sukses është edhe më domethënës kur mendojmë se Klubi ‘Yjet’ fillimisht konkurroi ne nivel kombëtar përballë projekteve nga e tërë Kosova e pastaj ne nivel rajonal përballë shtatë shteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore: Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia, Rumania, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Slovakia, në kuadër të Edicionit të pestë të Çmimit Rajonal për Vullnetarizëm Edukativ.
Ky çmim dëshmon fuqinë e bashkëpunimit dhe përkushtimit, duke na kujtuar se ndryshimi i vërtetë fillon nga vetë komunitetet tona.
Çmimet e Vullnetarizmit të Vitit përkrahen nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), përmes Programit të saj Human Rightivism që implementohet nga Community Development Fund – CDF; Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë; “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera te Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkime dhe Krijimin e Politikave (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) përmes grantit rajonal dhe institucional, dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA); dhe Programi i Bashkimit Evropian “Erasmus+”. Si dhe nga bizneset: Shtëpia Botuese “Dukagjini”, Appbites – pjesë e SIGMA Technology, dhe Open Cybernetics.
Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.