Mentorët tanë përfaqësojnë TOKAn në Kongresin e të Rinjve për Edukim Mjedisor

31 Mars, 2022

Këta të rinj më poshtë kanë ndarë përvojën e tyre, njohuritë e fituara dhe mënyrat se si pas pjesëmarrjes në Kongresin e të Rinjve për Edukimin Mjedisor do t’ju ndimojnë të rinjve tanë në rritjen e vetëdijes mbi Edukimin Mjedisor.

Lexoni çfarë ata kanë për të thënë më poshtë. 

Kongresi i të Rinjve për Edukim Mjedisor u organizua nga Qendra e Edukimit Mjedisor SEVER (Republika Çeke) dhe pjesëmarrja e mentorëve të rinj të TOKAs u mbështet nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian.

Arbrita Uka, 21 vjet, Lipjan

Unë jam Arbrita Uka, studente e fizikës, nga Lipjani.

Përvoja ime në Kongresin Rinor të Edukimit Mjedisor në Pragë, ka zënë vend në mesin e përvojave më të mira që kam përjetuar deri më tani. Duke u nisur me qëllimin që ta përfaqësojmë Kosovën, e ka bërë edhe më të veçantë pjesëmarrjen tonë atje. Përderisa, njoftimi me persona që vijnë nga vende të ndryshme, shkëmbimi i përvojave dhe ideve – ishin dy nga urat më të forta që krijuam qysh në ditën e parë të Kongresit.

Nëse do të veçoja momentin më krenar gjatë këtij kongresi, ai pa dyshim që do të ishte momenti kur kisha radhën për të prezantuar para më shumë se 120 personave. Duke prezantuar e ndjeja se po dëgjohesha, e përvojat e mia të krijuara në Kosovë po duartrokiteshin. Kurse, momenti kur jam ndjerë e lumtur, ishte momenti kur vizitonim Pragën dhe të gjitha ato ekskursione ndërlidheshin me fizikën, ani pse realizoheshin për mjedisin. Kjo përbënte njërën nga arsyet e qëllimit tim për të marrë pjesë në këtë Kongres, ndërlidhja e fushës sime të studimit me temat që diskutoheshin atje.

Përvojat që kam përfituar në TOKA mund të them që më kanë përgatitur t’ju përgjigjem hapësirave për kontribut në Kongres. Për shkak të përvojës në cilësinë e stafit në TOKA, kontributi im, që buron nga kjo përvojë, do të transmetohet tek të rinjtë e Kosovës gjatë kampeve verore.

Uvejs Hyeni, 22 vjet, Vushtrri

Unë jam Uvejs Hyseni, 21 vjeçar nga qyteti i Vushtrrisë. Eksperienca në Kongresin e organizuar në Pragë ka qenë një mundësi shumë e frytshme dhe e këndshme për mua. Pjesa për të cilën jam shumë krenar ishte kur me një grup pjesëmarrësish në Kongres krijuam një video informuese rreth hapave që duhen të ndërmerren për Ministrinë e Kulturës, të Mjedisit dhe atë të Edukimit të Republikës të Çekisë. Ky projekt u prit shumë mirë nga ta dhe zyrtarët e këtyre ministrive të cilët ishin prezent në Kongres premtuan ndryshime të dukshme.

Reagimi sot, për shëndetin nesër!

Donarta Uka, 19 vjet, Prishtinë

Unë jam njëra ndër pjesëmarrëset përfaqësuese të Organizatës TOKA në Kongresin e të Rinjve për Edukimin Mjedisor. Këtë Kongres mund ta konsideroj se kjo ka qenë një ndër përvojat më të paharrueshme për mua. Diversiteti kulturor, idetë, diskutimet dhe tregimet inspiruese dhe qyteti i bukur i Pragës e bën Kongresin një katalizator të produktivitetit dhe kreativitetit tonë. 

Një ndër momentet e mia të preferuara në Kongres ka qenë prezantimet “Pecha Kucha”. Gjatë këtyre prezantimeve, pata mundësi të shoh punën e shumë bashkëmoshatarëve nga Evropa, por edhe të ndaj punën dhe vizionet e mia. Ky Kongres ka ngjallur tek unë ndjenjën e përgjegjësisë dhe më ka ndihmuar të kuptoj që ndryshimi fillon nga çdo individ, e sidomos nga të rinjtë që kanë ide dhe energji të jashtëzakonshme. Besoj se TOKA mund të na ndihmoj të përcjellim këtë mesazh te rinia kosovare dhe t’i fuqizojë idetë e të rinjve për ruajtjen e planetit tonë. Unë si pjesëmarrëse e këtij Kongresi, jam e gatshme të ndaj frymëzimin dhe qëllimet e mia, me të rinj që synojnë mbrojtjen e planetit. 

Fatjona Beqiri, 20 vjet, Prishtinë

Unë jam Fatjona Beqiri, studente dhe mentore nga Prishtina. Në OJQ TOKA fillimisht kam qenë pjesëmarrëse në njërin nga projektet e organizatës “TOKA te ti” në vitin 2017. Që atëherë synimet e mia kanë qenë të vazhdoj të bëjë punë vullnetare, të marr pjesë në kampet verore dhe projekte të tjera ku mund të ndihmojë në të mirë të komunitetit. 

Nga përfshirja e këtyre aktiviteteve ndër vite, OJQ TOKA  më ka mundësuar pjesëmarrjen në Kongresin e të Rinjve për Edukimin Mjedisor në Pragë. 

Në Kongres ne kemi ndarë përvojat tona të mëparshme, kemi mësuar dhe kuptuar se sa e rëndësishme është mjedisi që na rrethon. Kemi qenë shumë të rinjë nga vende, kultura e gjuhë të ndryshme por edukimi për mjedisin është ajo që na bashkoi, dhe të gjithë së bashku kemi punuar gjatë Kongresit projekte për rritjen e vetdijësimit rreth mjedisit.

Gjatë Kongresit jam ndjerë vërtet krenare që unë dhe shoqëria ime kemi ndarë shumë nga projektet tona dhe i kemi treguar botës që jemi nga një shtet i vogël si Kosova, por kemi ambicie dhe qëllime për përmirësimin e mjedisit.

Ka qenë një përvojë inspiruese dhe shumë e dobishme, e do jetë një ndër përvojat më të bukura e të paharruara!

Elisa Durmishi, 20 vjet, Podujevë

Unë jam Elisa Durmishi dhe jam vullnetare në TOKA që nga viti 2018, fillimisht si pjesëmarrëse duke kaluar në lider dhe tani jam mentor i Klubit të Super-Qytetarëve në qytetin tim, Podujevë.

Në datat 13-17 mars mora pjesë në Kongresin Rinor të Mjedisit. Kjo përvojë ishte një nga përvojat më përmbushëse të jetës sime dhe më dhuroi disa nga kujtimet më të mira. Takova shumë aktivistë të shquar të ndryshimeve klimatike dhe mjedisore që patën një ndikim të madh në shoqërinë e tyre. Ne u përpoqëm të gjenim zgjidhje të mundshme dhe t’i shikonim këto çështje në qasje të ndryshme. U zhvilluan disa seminare që përfshinin art, video, teatër, poezi, të folur, komedi, etj.

Përvoja që kam pasur deri tani në TOKA më ka ndihmuar shumë gjatë këtij Kongresi, duke qenë se ndjeshmëria ime arriti kulmin. Kam biseduar me njerëz dhe kam mundur të lidhem në shumë nivele me të gjitha përpjekjet që kemi për të trajtuar këtë problem dhe për të mos u marrë me të gjitha pasojat vdekjeprurëse më vonë. TOKA është vendi i parë që më prezantoi me një shoqëri që kujdeset për mjedisin dhe burimet e tij dhe që atëherë nuk kam pushuar kurrë së zgjeruari njohuritë dhe përpjekjet e mia për këtë çështje.

Ky Kongres më bëri të kuptoj se ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë duke filluar me gjëra të thjeshta, të tilla si: ngasja e biçikletave, ripërdorimi dhe riciklimi, sjellja e një çantë dhe një shishe uji të ripërdorshme, mbjellja e një peme, etj., por më e rëndësishmja, të edukojmë të tjerët për rëndësinë e këtyre veprimeve. Edukatorët mjedisorë bëjnë vërtet një ndryshim të madh në mënyrën se si një shoqëri merret me çështje kaq të mëdha për njerëzimin.

Pas kthimit në Kosovë, mezi pres të ndaj të gjitha informacionet dhe idetë që mora në Kongres me të rinjtë që do të marrin pjesë në kampe dhe klube në mënyra të ndryshme.

Gjithmonë do të ndihem me shpresë duke parë të rinjtë nga Kosova dhe nga e gjithë bota të bashkohen dhe të ndajnë historitë, veprat dhe zgjidhjet e tyre të mundshme frymëzuese. Ndryshimi është i vështirë, por të mos ndryshosh asgjë do të jetë fatale!

Share:

Të fundit

Këto janë zhvillimet më të fundit nga programet dhe aktivitetet tona.

Pozitë e Hapur: Apliko për Asistent/e i/e Projektit

Lexo më shumë

Super-Vullnetarët mobilizojnë të gjithë komunitetin në Ferizaj!

Lexo më shumë

Super-Vullnetarët e Bënë Shkollën “Hamëz Jashari” në Skënderaj me...

Lexo më shumë

Vullnetarizmi në Shkolla – Kamenica dhe Skënderaj u bënë Solidare!

Lexo më shumë

Ndikimi Transformues: Arritjet dhe sukseset në projektin HEARMI

Lexo më shumë

Raporti i Katar Index Kosova na tregon për Ndikimin dhe Mundësitë e Programev...

Lexo më shumë
Shiko te gjitha